Kosovë Lajme

Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumentit

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.K. dhe një personi juridik, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.

Kjo prokurori ka njoftuar se sipas aktakuzës, i pandehuri R.K., në cilësinë e pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të një operatori ekonomik, dyshohet se gjatë pjesëmarrjes në një procedurë të prokurimit publik, të zhvilluar nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë për furnizim me libra të protokollit, ka paraqitur dhe përdorur dokumentacion të rremë dhe të paautorizuar.

Sipas aktakuzës, thuhet në njoftim, dokumentacioni i paraqitur dyshohet se ka përfshirë CV, kontratë pune dhe certifikatë universitare në emër të një personi tjetër, pa lejen dhe dijeninë e tij, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues dhe përfitimit të kontratës.

Po ashtu, i pandehuri R.K. dyshohet se ka përpiluar një dokument të falsifikuar, përkatësisht një kontratë pune, me qëllim të përdorimit të saj si dokument origjinal në kuadër të procedurës së prokurimit publik.

Ndërkaq, personi juridik dyshohet se, gjatë pjesëmarrjes në procedurën e prokurimit publik, ka paraqitur dhe përdorur dokumentacion të rremë dhe të paautorizuar, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues dhe përfitimit të kontratës.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri R.K. ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumentit”, ndërsa personi juridik veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Në njoftim thuhet se prokurorja e çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.