Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për qarkullimin e mesazheve mashtruese dhe dokumenteve të falsifikuara, të cilat përdorin në mënyrë të paautorizuar emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin e institucioneve të Kosovës.
Policia ka sqaruar se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i saj dhe ka bërë thirrje që qytetarët të mos u përgjigjen kërkesave të tilla dhe të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare.
Qytetarët janë këshilluar të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos hapin faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve dhe të raportojnë rastet tek autoritetet.
Policia ka njoftuar se po ndërmerr veprimet e nevojshme për identifikimin e personave përgjegjës.
Në rast të pranimit të mesazheve të tilla, qytetarët mund t’i raportojnë përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrin 192.
