Kosovë Lajme

Kjo ishte vizita e vetme e Jakup Krasniqit në Kosovë gjatë paraburgimit në Hagë

Dhimbjen për vdekjen e vëllait, Azem Krasniqi, Jakup Krasniqi do të dëshironte ta ndante me familjarët e tij.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, që ndodhej nën masën e paraburgimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, nuk u lejua të vinte në varrimin e të vëllait.

Por, vizita në Kosovë, atij iu lejua pas disa ditëve, përkatësiht më 10 tetor të vitit 2024 dhe ajo u zhvillua nën kushte të rrepta sigurie, i shoqëruar vazhdimisht nga forca policore të EULEX-it dhe Kosovës.

Ish-kryeparlamentari, i cili po bëhen gati gjashtë vite që po mbahet në Hagë, fillimisht vizitoi varrezat e Negrocit, ku ishte varrosur vëllai i tij.

Lulet dhe homazhet para varrit të Azem Krasniqit, Jakup Krasniqi i bëri nën monitorimin e katër zyrtarëve të huaj, të ngarkuar me përcjelljen e tij gjatë qëndrimit në Kosovë.

Pas përfundimit të vizitës në varreza, kolona me rreth dhjetë automjete të blinduara u nis drejt shtëpisë së familjes në brendësi të fshatit.

Gjatë rrugës, familjarë dhe bashkëfshatarë e pritën me emocion. Ata nuk patën mundësi t’i afroheshin, por e përshëndetën nga distanca, derisa Krasniqi hyri në oborrin e shtëpisë.

Edhe në ambientet familjare, qëndrimi i tij ishte i kufizuar dhe nën përcjellje të vazhdueshme. Dyert e shtëpisë qëndruan të hapura për rreth pesë orë, ndërsa përreth saj ishin të pranishëm dhjetëra zyrtarë të misionit evropian, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Vizita e 10 tetorit 2024, ishte e para dhe e vetmja e Jakup Krasniqit në Kosovë, që nga arrestimi dhe dërgimi i tij në Hagë, më 4 nëntor të vitit 2020, ku po përballet me procesin gjyqësor së bashku me tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, vendimi për të cilët do të merret paraditen e 16 shtatorit.