Kosovë Lajme

Hagë: Tri herat që Veseli qëndroi në Kosovë, kur humbi prindërit

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim në Hagë, është lejuar tri herë të vijë në Kosovë, në rrethana të veçanta familjare.

Vizitat e tij janë zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe me autorizim të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Vizita e parë u zhvillua më 4 maj të vitit 2021, kur Veselit iu lejua të vinte në Kosovë për të vizituar babanë e tij, Fazli Veselin, i cili po merrte trajtim në Spitalin e Mitrovicës, pasi kishte pësuar sulm në tru.

Gjatë vizitës te babai, Veseli qëndroi rreth 40 minuta. Pas takimit, ai u largua sërish nën përcjelljen e EULEX-it.

Por, Fazliu nuk jetoi edhe gjatë, dhe më 7 korrik u dha lajmi për vdekjen e tij.

Për këtë arsye, Kadri Veselit iu lejua edhe një vizitë në Kosovë, e cila u realizua më 10 korrik të po atij viti, në ditën e fundit të ngushëllimeve për babanë e tij, Fazli Veselin.

Veseli arriti në shtëpinë e tij në lagjen Bair të Mitrovicës, nën masa të rrepta sigurie nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

Fillimisht, ai vizitoi varrin e babait, ndërsa më pas qëndrimi i tij u kufizua brenda ambienteve të shtëpisë. Për arsye sigurie, nuk iu lejua qëndrimi në tendën ku miqtë dhe të afërmit po prisnin për ngushëllime.

Data 7 për Veselin do të jetë një prej numrave që do t’i sjellë kujtime të hidhura. Kjo pasi 6 muaj pas vdekjes së babait (7 korrik, 2021), më 7 janar të vitit 2022 vdiq edhe nëna e Veselit, Ajshja, në moshën 93-vjeçare, me ç’rast ish-kryeparlamentarit iu lejua të vinte në Kosovë.

Për shkak të kufizimeve të vizitës, Veseli nuk arriti të merrte pjesë në varrim.

Megjithatë, destinacioni i parë i tij ishte fshati Broboniq, ku prehet nëna e tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit në rrethanat që i lejonte vendimi i autoriteteve.

Më pas, Veseli u nis drejt lagjes Bair në Mitrovicë, ku qëndroi për pak minuta në shtëpinë e prindërve për të takuar familjarët.

Atje e pritën bashkëshortja dhe fëmijët, ndërsa forca të shumta të sigurisë e shoqëruan gjatë gjithë kohës.

Këto ishin tri vizitat e Kadri Veselit në Kosovë gjatë viteve të qëndrimit të tij në Hagë, ku së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së po përballet me procesin gjyqësor.

Vendimi për Veselin dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, pritet të merret nesër.