Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje një parti që po ndjek një “politikë mashtruese”, duke e akuzuar për hipokrizi dhe për bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
Ismaili ka thënë se, për hir të konstituimit të Kuvendit, PDK-ja e votoi kandidatin e LVV-së, Ardian Golën, për postin e nënkryetarit. Megjithatë, sipas tij, kur erdhi radha që të votohej kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, LVV-ja abstenoi, duke e bllokuar kështu konstituimin e Kuvendit.
Në reagimin e tij të plotë, Ismaili shkroi:
POLITIKË MASHTRUESE!
Për hir të konstituimit të Kuvendit, sot votuam kandidatin e LVV-së, Ardian Gola, për nënkryetar. Por, kur erdhi radha të votohej kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, LVV-ja abstenoi dhe e bllokoi konstituimin e Kuvendit.
Kaq për deklaratat dhe parimet e tyre. Një politikë mashtruese, hipokrite dhe në kundërshtim të plotë me gjithçka që kanë proklamuar deri më sot për konstituimin e Kuvendit.
Prej dy vitesh, Kosova po mbahet në krizë pikërisht nga kjo mënyrë e të bërit politikë e Albin Kurtit: një gjë deklarohet para qytetarëve, ndërsa krejt e kundërta veprohet në Kuvend. Interesi i shtetit sakrifikohet vazhdimisht për llogari të interesave të tij politike.
