Kosovë Lajme

Ushtarakët shqiptarë vijojnë përgatitjet në Kosovë për garën e vështirë “Cambrian Patrol”

Personeli i Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut të Forcës Tokësore të Shqipërisë po vijon përgatitjet për pjesëmarrje në garën ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol”, ndërsa një nga fazat e trajnimit është zhvilluar në Kosovë.

Sipas njoftimit të Forcës Tokësore të Ushtrisë Shqiptare, kjo fazë është realizuar në bashkëpunim me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe personel britanik.

Bashkëpunimi ka synuar forcimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe përgatitjen e pjesëtarëve për skenarët me të cilët do të përballen gjatë garës.

Fokusi i trajnimeve ka qenë zhvillimi i mëtejshëm i aftësive profesionale dhe taktike, si dhe forcimi i qëndrueshmërisë fizike e mendore të pjesëmarrësve.

“Cambrian Patrol” konsiderohet një prej garave më kërkuese ndërkombëtare të patrullimit ushtarak. Në edicionin e vitit 2025, ekipet e Shqipërisë dhe Kosovës morën pjesë në garë, me ekipin shqiptar të Regjimentit të Këmbësorisë që u rendit në mesin e njësive të vlerësuara me medalje bronzi, ndërsa ekipi i FSK-së fitoi medaljen e argjendtë.

Edicioni i vitit 2026 i “Cambrian Patrol” është planifikuar të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar nga 2 deri më 13 tetor.

Për ekipin shqiptar, përgatitjet në Kosovë paraqesin një etapë të rëndësishme para pjesëmarrjes në këtë garë, ku puna në ekip, aftësitë taktike dhe qëndrueshmëria fizike e mendore janë ndër elementet kryesore të vlerësimit.