Lajme Shëndetësi

Shkencëtarët alarmojnë: Më shumë mikroplastikë zbulohet në mushkëritë me tumor

Hulumtimi ngre pikëpyetje serioze rreth ndikimit nga ndotja ajrore mbi organizëm

Një studim i ri i shkencëtarëve nga University College Dublin School of Medicine, i prezantuar në kongresin e Shoqatës Evropiane të Respiracionit, ka sjellë të dhëna të reja mbi praninë e mikroplastikës në mushkëritë e njeriut. Rezultatet treguan se pacientët me kancer të mushkërive kishin më shpesh grimca mikroplastike dhe një ngarkesë më të madhe të tyre sesa personat pa këtë diagnozë.

Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon se mikroplastika shkakton kancer.

Nga 100 pacientë, gjysma u diagnostikuan me kancer të mushkërive

– Mikroplastika është bërë pjesë pothuajse e pashmangshme e mjedisit tonë, por ende dimë shumë pak se çfarë ndodh pasi hyn në trupin e njeriut. Nuk dimë cilat janë nivelet e zakonshme në mushkëri, sa ndryshojnë nga një person te tjetri apo nëse kontribuojnë në sëmundje. Nëse i thithim këto grimca çdo ditë, duhet të kuptojmë se ku përfundojnë dhe nëse mund të lidhen me sëmundje, tha dr. Ilias Dimeas nga University College Dublin School of Medicine dhe University of Thessaly.

Në hulumtim morën pjesë 100 persona që iu nënshtruan bronkoskopisë për shkak të simptomave pulmonare në Spitalin Universitar të Larisës, në Greqi. Secilit iu mor mostër nga lavazhi pulmonar, ndërsa te gjysma u mor edhe një mostër e vogël e indit të mushkërisë.

Mostrat u analizuan për praninë e mikroplastikës dhe, te disa prej tyre, edhe për llojet e plastikës. Nga 100 pacientët, 50 u diagnostikuan më pas me kancer të mushkërive, ndërsa 50 jo, transmeton Telegrafi.

healthday

U identifikuan 232 grimca mikroplastike

Në të gjitha mostrat së bashku, studiuesit gjetën 232 grimca mikroplastike. Te 70 për qind e pacientëve, mikroplastika u zbulua në të paktën një mostër – në lavazhin pulmonar, në indin e mushkërisë ose në të dyja.

Kur rezultatet u analizuan së bashku, pacientët me kancer të mushkërive kishin më shumë gjasa të kishin mikroplastikë të zbulueshme dhe një ngarkesë më të madhe të përgjithshme krahasuar me pacientët pa kancer.

Në mostrat e lavazhit pulmonar, mikroplastika u zbulua te 66 për qind e pacientëve me kancer, kundrejt 46 për qind të atyre pa këtë sëmundje.

Studiuesit vunë re gjithashtu se shpërndarja e grimcave nuk ishte e njëtrajtshme: te disa pacientë u gjet më shumë mikroplastikë në lavazhin pulmonar dhe më pak në ind, ndërsa te të tjerë ndodhi e kundërta. Kjo mund të tregojë se pjesë të ndryshme të mushkërive i mbajnë grimcat në mënyra të ndryshme.

Polipropileni dhe polietileni më të zakonshmit

Analiza tregoi se polipropileni dhe polietileni ishin llojet më të shpeshta të plastikës. Ato përdoren gjerësisht në ambalazh, tekstile, materiale shtëpiake dhe shumë produkte të konsumit të përditshëm.

Sipas dr. Dimeas, rezultatet tregojnë se mikroplastika e thithur mund të gjendet në mushkëritë e njeriut më shpesh sesa mendohet. Por ai paralajmëron se studimi nuk mund të tregojë pse te pacientët me kancer u gjet më shumë mikroplastikë.

Një mundësi është që grimcat të ndikojnë në inflamacion ose procese të tjera biologjike; një tjetër është që mushkëritë e sëmura thjesht t’i mbajnë ato ndryshe nga mushkëritë e shëndetshme.

Ekipi po analizon edhe mostra nga pacientë me sëmundje kronike të mushkërive, për të parë nëse mikroplastika mund të lidhet me fibrozën pulmonare dhe përparimin e sëmundjeve.

Prof. Barbara Hoffmann nga University of Düsseldorf rikujtoi se pirja e duhanit mbetet shkaku kryesor i kancerit të mushkërive, ndërsa ndotja e ajrit njihet gjithashtu si faktor që mund të shkaktojë këtë kancer dhe të kontribuojë në sëmundje të tjera respiratore.