Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha edhe një herë u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, nga ora 14:00.
Tasholli, në një konferencë për media, u shpreh se mobilizimi qytetar po ndjehet kudo nëpër Kosovë dhe në diasporë.
“Kjo gatishmëri na bën të besojmë se në ditën e Marshit nuk do të jemi thjesht shumë njerëz në një vend. Do të jemi njerëz të bashkuar nga kujtesa, solidariteti dhe kërkesa për drejtësi. Prandaj, sot ftesa jonë shkon për secilin, ejani dhe bëhuni pjesë e Marshit. Ejani me familjet tuaja, me miqtë dhe me bashkëqytetarët tuaj. Le të jetë pjesëmarrja jonë masive, paqësore dhe dinjitoze”, tha Tasholli.
