Kosovë Lajme Politikë

Hykmete Bajrami brutale me Lumir Abdixhikun: Humbësi i trefishtë që flet për parime, shtet e ambicie në LDK

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas postimit të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili akuzoi disa prej bashkëpartiakëve të tij se luftën nuk e kanë për shtetin por për karrigen e të parit të LDK-së.

Bajrami përmes një postimi në rrjetin social Facebook Abdixhikun e ka quajtur humbës të trefishtë të zgjedhjeve, e përçarës të parties.

“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK. Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente: Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi”, ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, Abdixhiku do duhej ta mbante premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar nga pozita e kryetarit, kur humbi zgjedhjet e para.

“Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër. Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur. Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet. Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, ka thënë ajo.

Sipas Bajramit, LDK-ja ka qenë dhe do të jetë gardiane e shtetit, e institucioneve dhe e rendit demokratik, jo admiruese e nënshtrimit të shtetit ndaj pushtetit.

Ka shtuar se beteja e LDK-së duhet të jetë për shtetin, por sipas saj, shteti ka tema tjera.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka cilësuar “për keqardhje” qëndrimet e disa deputetëve të partisë së tij ditëve të fundit.