Behgjet Pacolli, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-administratorit të VIA-s, Valon Llukës, si dhe Valon Ademit, duke i lidhur ata me dëme të mëdha financiare, manipulime dhe keqpërdorime të pretenduara në lidhje me kompaninë dhe projektin e Aeroportit të Vlorës.
Pacolli ka rikujtuar atë që e cilëson si “propagandë të padrejtë” ndaj tij, vëllait dhe familjes së tij, duke përmendur edhe deklarimet publike të avokatit Besnik Berisha se ai do të arrestohej, si dhe raportimet e disa opinionistëve e gazetarëve.
Në veçanti, Pacolli ka akuzuar Valon Ademin se përmes publikimeve të tij ishte manipuluar opinioni publik dhe se, sipas tij, vendime gjyqësore që ai i konsideron joligjore kishin kontribuar në dëmtimin e projektit të VIA-s.
“Ne e dimë mirë që Valon Ademi nuk ishte i vetëm”, ka shkruar Pacolli, duke thënë se në këto veprime ishte i përfshirë edhe Valon Lluka, të cilin e përshkruan si ish-administrator të VIA-s.
Sipas Pacollit, veprimet e Llukës dhe Ademit i kanë shkaktuar kompanisë dëme që, sipas tij, kapin shifra prej “më shumë se qindra milionash”. Ai gjithashtu ka hedhur akuza për keqpërdorim të pozitës dhe të besimit të kompanisë.
Pacolli ka ngritur akuza edhe për 30 kamionë, për të cilët pretendon se Valon Lluka dhe Valon Ademi i kishin blerë me rreth 14 milionë euro nga fondet e Mabcos. Sipas versionit të tij, kamionët ishin etiketuar me logon dhe targat e Mabetex-it, ishin fotografuar si të ardhur në kompani dhe më pas, po atë ditë, ishin shitur, ndërsa paratë, sipas Pacollit, ishin inkasuar pa dijeninë e tij.
Pacolli në një postim në Facebook thotë se do të flasë për “fatura milionëshe, false” dhe për një urdhër që, sipas tij, Valon Lluka i kishte dhënë kontabilistes për t’i paguar ato, pavarësisht mungesës së dëshmive për kryerjen e punëve përkatëse.
Në reagimin e tij, Pacolli ka përmendur edhe hetimet dhe akuzat e mëhershme që lidhen me projektin e Aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se për të dhe për vëllain e tij nuk ishte ngritur asnjëherë hetim apo aktakuzë.
“Shpresoj që drejtësia, përmes shteteve ku vepruan, një ditë do t’i zbardhë këto krime”, ka përfunduar Pacolli.
