Kosovë Lajme

OVL e UÇK: E vërteta e luftës sonë s’mund të nëpërkëmbet me vendime gjyqësore, do ta kundërshtojmë çdo padrejtësi

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së ka reaguar pas aktgjykimit dënues të sotëm ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në rastin e administrimit të drejtësisë, duke thënë se ky vendim ishte i pritshëm, por se është “i papranueshëm”.

“Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka qenë i pritshëm për ne, sepse tashmë e kemi kuptuar qartë qasjen dhe karakterin politik të kësaj Gjykate. Për ne, ky vendim është i papranueshëm. Kjo Gjykatë, edhe një herë, dëshmoi se nuk po arrin të shkëputet nga agjenda politike që e ka shoqëruar që nga themelimi i saj”.

OVL e UÇK’së tha se kjo qasje nuk i shërben drejtësisë së paanshme, por interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj, për të cilët tha se për vite me radhë kanë synuar njollosjen e luftës sonë çlirimtare dhe të historisë së Kosovës.

“UÇK-ja nuk mund të gjykohet përmes agjendave politike, ndërsa e vërteta e luftës sonë nuk mund të nëpërkëmbet me vendime gjyqësore. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo padrejtësi dhe çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me projektin kriminal të Serbisë”.