Kosovë Lajme

Matematika e Kurtit: Krenohet me 5700 biznese të reja, hesht për 3919 të shuara dhe të çregjistruara!

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 5,700 biznese më shumë dhe mbi 17 mijë punëtorë më shumë të deklaruar, krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas Kurtit, të hyrat tatimore janë rritur për rreth 14%, ndërsa aktivitetet operative të Administratës Tatimore të Kosovës për 35%.

Por, ndryshe nga Kurti flasin të dhënat e ARBK’së.

Gjate vitit 2025, sektori privat në Kosovë ka shënuar një rënie të dukshme në numrin e bizneseve aktive, gjë që dëshmon për sfidat e vështira që sektori privat i bizneseve ka pasur.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), gjatë këtij viti janë shuar 1,348 biznese, ku dominon mbyllja e veprimtarive të vogla, të cilat përballen me shumë vështirësi në menaxhimin e kostove operative dhe konkurrencën në treg.

Ndërkohë, sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë të njëjtit vit janë dorëzuar 2,571 kërkesa për ç ‘regjistrim të bizneseve.

Gjatë vitit 2025 u shuan 1,348 biznese, dominon mbyllja e veprimtarive të vogla

Gjatë vitit 2025 është shënuar një numër i konsiderueshëm i bizneseve të shuara në Kosovë, ku pjesa dërrmuese i përket kategorisë së bizneseve individuale, duke sinjalizuar vështirësi të theksuara në sektorin e vetëpunësimit dhe në ekonominë e vogël.

Sipas të dhënave nga ARBK për strukturën e bizneseve të mbyllura sipas formës juridike, gjithsej 1104 biznese individuale janë shuar gjatë këtij viti, duke përbërë shumicën absolute të subjekteve që kanë ndërprerë aktivitetin.

Pas tyre renditen 215 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (Sh.p.k.), ndërsa format e tjera juridike paraqiten në numër shumë më të ulët. Konkretisht, janë shuar 14 degë të shoqërive të huaja, 13 ortakëri të përgjithshme, si dhe vetëm 1 kooperativë bujqësore dhe 1 shoqëri aksionare.

Po ashtu, sipas ARBK-së, bizneset sipas sektorëve që kanë pasur shuarjen më të madhe janë 370 të tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motocikletave, 156 industria e përpunuesve, prodhimtaria, pastaj 115 të aktivtiteve profesioanle dhe teknike, mandej 114 biznese që janë shuar janë të sektorit të hotelerisë dhe akomodimit, 105 biznese të shuara nga sektori i ndërtimtarisë, 93 nga sektori i transprotit dhe 92 nga sektori bujqësor dhe pylltarisë.

Derisa Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se në Qendrat e Shërbimit të Tatimpaguesve, në të gjitha drejtoritë rajonale, janë pranuar mijëra kërkesa për çregjistrimin e bizneseve.

“Në Qendrat e Shërbimit të Tatimpaguesve, në të gjitha drejtoritë rajonale, janë pranuar gjithsej 2,571 kërkesa për çregjistrimin e bizneseve. Duhet theksuar se këto kërkesa për mbyllje nuk konsiderohen si raste të mbyllura, pasi procesi i mbylljes së biznesit zhvillohet sipas një procedure tjetër, e cila kërkon kohë dhe realizohet në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Ndërkaq, biznese aktive sipas ARBK-së janë 13.008 biznese.