Investigime Kosovë Lajme

18-milionë euro projekti i Gjilanit: Pa leje ndërtimore e kurdisje me kompanitë – Çka thonë nga opozita?

Projekti më i madh kapital në historinë e Gjilanit, me vlerë rreth 18 milionë euro për ndërtimin e objektit të ri të administratës komunale, nënkalimit dhe sheshit të qytetit, po vazhdon të shoqërohet me kritika dhe akuza nga opozita në Kuvendin Komunal.

Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për prerjen e dhjetëra pemëve shumëvjeçare në parkun e qytetit dhe raportimeve se punimet kanë nisur pa leje ndërtimore, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë ngritur një sërë shqetësimesh, duke kërkuar më shumë transparencë dhe sqarime nga Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga kryetari Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, thotë se partia që ai përfaqëson nuk është kundër projektit dhe investimeve kapitale, por kundërshton mënyrën se si po realizohet ai. Sipas tij, problemi qëndron te mungesa e planifikimit, transparencës dhe debatit publik, si dhe te procedurat që, sipas opozitës, nuk janë respektuar.

Apsolutisht ne si PDK e përkrahim çdo investim dhe projekt që ndikon në zhvillimin, ndërtimin dhe rrtijen e standardit ekonomik në Gjilan”, deklaroi Rashiti.

Ai pretendon se një investim prej 18 milionë eurosh ka nisur pa leje ndërtimore, ndërsa akuzon komunën se ka deklaruar publikisht se ishte pajisur me këtë dokument.

“Ne nuk mund të heshtim dhe mbyllim sytë, kur një investim prej 18 milion euro nis pa leje ndërtimore dhe qeverisja e komunës del hapur dhe e gënjen publikun se janë pajisur me leje ndërtimore”, tha ai.

Një nga kritikat e tij lidhet edhe me ndryshimet që, sipas PDK-së, janë bërë në projektin e objektit të administratës komunale.

Ai thotë se nga projekti është larguar kati nëntokësor që ishte planifikuar fillimisht, ndonëse, sipas tij, administrata komunale ka nevojë të madhe për hapësira parkimi si për automjetet zyrtare, ashtu edhe për qytetarët që marrin shërbime në komunë.

“Ky objekt do të duhej të kishte së paku dy kate nëntokësore, e këta tani edhe një kat që vet e kishin planifikuar, tash e kanë eliminuar”, tha ai.

Ai kritikon edhe mënyrën e zhvillimit të punimeve, duke thënë se është shkatërruar parku i qytetit pa qenë e domosdoshme dhe se gjatë punimeve janë dëmtuar rrjeti elektrik dhe ai i ujësjellësit.

“Po shkaktojnë dëme të mëdha në rrjetin elektrik dhe në atë të ujësjellësit edhe pse sot ekzistojn mjetet e teknologjisë që e konstatojnë me saktësi linjat e energjisë elektrike nëntokësore dhe të atyre ujore. E pas gjitha këtyre veprimeve të dëmshme, pushtetit po i pengon ngritja e këtyre problemeve nga opozita dhe qytetarët e Gjilanit që me të drejtë po reagojnë në forma të ndryshme”, tha tutje ai për Periskopin.

Rashiti akuzon pushtetin lokal edhe për mungesë transparencë.

Ai thotë se opozita kishte kërkuar që në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të diskutohej një informatë për projektin e bulevardit, por kërkesa, sipas tij, ishte refuzuar.

“Ne edhe në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, kërkuam që të futet në rend dites një informatë për këtë projekt të bulevardit, gjë që e kundërshtuan , duke e dëshmuar se ky pushtet komunal nuk don fare transparencë me qytetarët e Gjilanit, por edhe po tenton të fshihet pas dështimeve të mëdha në planifikim dhe ekzekutim, në procedurat e kundërligjshne, në keqpërdorimet dhe dënet financiare që do të dalin në pah të gjitha në kohën e vet, ku do të jemi dëshmitar të shumë skandaleve tjera që kanë me u shfaqë në të ardhmen”, tha ai.

Sipas Rashitit, projekti është hartuar pa u konsultuar me arkitektë, inxhinierë, ekspertë të ndërtimit, bizneset, qytetarët, shoqërinë civile apo subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.

“Fillimisht ky projekt u nis si ide, është hartuar dhe planifikuar pa asnjë diskutim me asnjë palë të vetme.As me ekspert e profesionist të fushës së arkitekturës, ingjinierisë dhe ndërtimtarisë, as me qytetarë e biznese, as me shoqërinë civile, as me subjektet politike që përfaqësojnë qytetarët në Kuvendin Komunal. Kjo mbyllje hermetike ndaj zhvillimit të këtij projekti, ka shkaktu shumë dyshime për keqpërdorime financiare, shumë dilem për cilësin e projektit, për mënyrën e ekzekutimit dhe prandaj sot ka aq shumë reagime qytetare edhe të profesionistëve të ndryshëm.”, u shpreh ai.

Ai paralajmëron se qendra e Gjilanit mund të përballet me vite të tëra vështirësish në komunikacion, ndërsa bizneset përreth mund të pësojnë humbje të konsiderueshme.

“Për shumë vite qendra e Gjilanit ka me qenë në kaos ku kanë me pësu pa dyshim të gjithë qytetarët tanë, pastaj bizneset kanë me falimentu shumica prej tyre fatkeqësisht. Ky kaos ka mundur të ishte menaxhuar shunë ma mirë sikur të ishin konsultuar të gjtha palët me kohë, sepse do të ishin gjetur alternativat tjera me kohë për çdo vështriësi apo sfidë të bizneseve dhe qytetarëve tanë”, tha Rashiti.

Megjithatë, ai rithekson se PDK-ja e mbështet projektin si investim, por jo mënyrën se si po realizohet.

“Ne projektin e mbështesim në tërësi, por jo me këto skandale qysh po ndodhin, jo me injorimin e profesionistëve dhe ekspertëve të shumtë që i ka Gjilani, jo me këtë mungesë totale të transparencës, jo me këtë ikje të frikshme të debatit institucional”, deklaroi Rashiti.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Gentrit Murseli.

Edhe ai thotë se LDK-ja nuk është kundër zhvillimit të qytetit dhe investimeve kapitale, përkundrazi i mbështet ato, duke kujtuar se, sipas tij, gjatë gjashtë viteve të fundit në Gjilan nuk është përfunduar asnjë projekt kapital me vlerë mbi një milion euro.

” Ne nuk jemi kundër zhvillimit të qytetit dhe investimeve kapitale. Përkundrazi, i mbështesim ato, sepse Gjilani në gjashtë vitet e fundit nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital me vlerë mbi 1 milion euro. Kjo tregon se qyteti ka pasur mungesë të investimeve të mëdha, prandaj çdo investim kapital është i mirëseardhur. Megjithatë, kur bëhet fjalë për projektin më të madh në historinë e Gjilanit, me vlerë rreth 18 milionë euro, transparenca duhet të jetë maksimale. Fatkeqësisht, deri më tani ka munguar plotësisht. “, deklaroi Murseli.

Ai thotë se deri më tani nuk është organizuar asnjë dëgjim publik me qytetarët dhe se projekti nuk është prezantuar në mënyrë të detajuar as për publikun, as për mediat dhe as për anëtarët e Kuvendit Komunal.

Nuk ka pasur asnjë dëgjim publik me qytetarët dhe asnjë prezantim të detajuar të projektit. Deri më sot, projekti nuk është bërë publik as për qytetarët, as për mediat, madje as për zyrtarët komunalë dhe anëtarët e Kuvendit Komunal. Nëse gjithçka është në rregull me projektin, atëherë nuk ka asnjë arsye pse ai të mbahet i fshehur. Pikërisht kjo mungesë transparence ngre dyshime se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar ose se projekti mund të përballet me pengesa gjatë realizimit. Për një investim prej 18 milionë eurosh, qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë do të ndërtohet dhe si do të realizohet”, tha tutje ai.

Sipas tij, mungesa e transparencës krijon dyshime nëse ekziston një projekt përfundimtar ose nëse ai mund të ndryshojë gjatë realizimit.

Murseli thotë se projekti i prezantuar në vitin 2024 dallon nga ai i vitit 2026, të paktën sa i përket objektit të administratës komunale, ndërsa shton se nuk mund të konfirmojë nëse ka ndryshime të tjera, pasi dokumentacioni përfundimtar nuk është bërë publik.

“Projekti i prezantuar në vitin 2024 dallon nga ai i vitit 2026, të paktën sa i përket objektit të administratës komunale. Nëse ka ndryshime të tjera në projektin e bulevardit, nuk mund t’i konfirmojmë, pasi nuk kemi në dispozicion projektin përfundimtar dhe të detajuar. Kjo është edhe një dëshmi tjetër e mungesës së transparencës, pasi është e pamundur të krahasohen projektet kur dokumentacioni nuk u bëhet publik qytetarëve dhe institucioneve”, tha ai.

Një tjetër shqetësim që ai ngre lidhet me lejen ndërtimore. Duke iu referuar informacioneve që, sipas tij, i posedon opozita, Murseli deklaron se projekti nuk ka leje ndërtimore, megjithëse punimet kanë nisur.

” Sipas informatave zyrtare që kemi, projekti nuk ka leje ndërtimore, ndonëse punimet kanë filluar. Kjo është një çështje shumë serioze që kërkon sqarim nga institucionet përgjegjëse. Kur një projekt i kësaj përmase fillon pa u bërë publik dokumentacioni i plotë dhe pa pasur leje ndërtimore, krijohen dyshime të arsyeshme për mënyrën se si po menaxhohet dhe për rrezikun që ai të përballet me vonesa ose probleme gjatë realizimit?”, ka thënë tutje ai.

Asambleisti i LDK-së konsideron se nuk është zgjedhur as koha e duhur për fillimin e punimeve.

” Mendojmë se nuk është zgjedhur koha më e përshtatshme për fillimin e punimeve. Pikërisht gjatë kësaj periudhe në Gjilan vijnë mijëra bashkatdhetarë dhe qarkullimi i automjeteve rritet ndjeshëm. Fillimi i punimeve në këtë kohë rrezikon të bllokojë komunikacionin dhe të vështirësojë lëvizjen e qytetarëve”, tha Murseli.

Ai shton se bizneset që operojnë pranë parkut nuk janë konsultuar dhe nuk kanë marrë informacione të qarta për kohëzgjatjen e punimeve, rrugët që do të mbyllen apo alternativat e qarkullimit.

” Bizneset që veprojnë pranë parkut nuk janë konsultuar dhe nuk kanë marrë asnjë informatë të qartë se kur do të zhvillohen punimet, sa do të zgjasin, cilat rrugë do të mbyllen dhe cilat do të jenë rrugët alternative. Kjo i ka lënë ato në pasiguri të plotë. Nëse projekti zvarritet, siç ka ndodhur me shumë projekte të tjera të kësaj qeverisjeje, dëmi për bizneset dhe qytetarët mund të jetë i madh. Pikërisht për këtë arsye kemi kërkuar transparencë dhe planifikim më të mirë, në mënyrë që një investim i rëndësishëm të mos shndërrohet në një problem për qytetin”, tregoi Murseli.

Periskopi gjatë 24 qershor të vitit të kaluar kishte raportuar se t tenderi me vlerë mbi 18 milionë euro për ndërtimin e bulevardit në Komunën e Gjilanit është bërë objekt ankese nga dy operatorë ekonomikë, “Pro&Co Group” dhe “SEMAKS SH.P.K.”. Ankuesit kanë hedhur dyshime për kritere diskriminuese dhe të kundërligjshme në këtë tender. Dy kompanitë që kanë konkurruar për projektin për ndërtimin e bulevardit të Gjilanit, “Pro&Co Group” dhe “SEMAKS SH.P.K.”

Dy kompanitë që kanë konkurruar për projektin për ndërtimin e bulevardit të Gjilanit, “Pro&Co Group” dhe “SEMAKS SH.P.K.”. i ishin drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me pretendimet se në dosjen e tenderit janë vendosur kriteret të kundërligjshme, të cilat, sipas tyre, favorizojnë një operator të caktuar.

Ankuesit në OSHP i kishin kundërshtuar kërkesat e tenderit ku janë kërkuar kritere, sipas ankuesve, të kundërligjshme dhe diskriminuese.