“Topi i Artë” ka konfirmuar se kur do të publikohen listat e kandidatëve në kategoritë e ndryshme për vitin 2026, duke nisur zyrtarisht garën e re për çmimet më prestigjioze individuale në futboll.
Të gjitha listat e kandidatëve do të publikohen më 8 shtator përmes faqes zyrtare të “Topit të Artë”.
Gjithsej 12 kategori përbëjnë listat, të kryesuara nga çmimet për “Topin e Artë” në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Krahas tyre janë edhe çmimet për talentin më të mirë të ri, portierin më të mirë, trajnerin më të mirë dhe sulmuesin më të mirë, si dhe çmimet për klubin më të mirë në konkurrencën e meshkujve dhe femrave.
Numri i kandidatëve në secilën kategori është:
“Topi i Artë” për meshkuj: 30 lojtarë
“Topi i Artë” për femra: 30 lojtare
Talenti më i mirë i ri për meshkuj: 10 lojtarë
Talenti më i mirë i ri për femra: 5 lojtare
Portieri më i mirë për meshkuj: 10 portierë
Portierja më e mirë për femra: 5 portiere
Trajneri më i mirë për meshkuj: 5 trajnerë
Trajnerja më e mirë për femra: 5 trajnere
Sulmuesi më i mirë për meshkuj: 10 sulmues
Sulmuesja më e mirë për femra: 5 sulmuese
Klubi më i mirë për meshkuj: 5 klube
Klubi më i mirë për femra: 5 klube
Londra do të jetë nikoqire e ceremonisë së vitit 2026 më 26 tetor, në një edicion të veçantë që shënon 70-vjetorin e themelimit të çmimit.
Ceremonia do të zhvillohet jashtë Théâtre du Châtelet në Paris, ku është mbajtur ceremonia që nga viti 2019, dhe do të zhvendoset në kryeqytetin anglez si homazh për futbollistin e parë që fitoi “Topin e Artë”, legjendën angleze Sir Stanley Matthews.
Fituesit do të përcaktohen nga një panel ndërkombëtar gazetarësh të specializuar. Secili votues do të përzgjedhë 10 lojtarët më të mirë nga lista e kandidatëve, duke i vlerësuar ata në bazë të paraqitjeve individuale, arritjeve kolektive dhe trofeve të fituara, si dhe sjelljes sportive.
Ousmane Dembélé i Francës fitoi “Topin e Artë” në vitin 2025. Ylli i Paris Saint-Germain mposhti konkurrencën pas një sezoni të jashtëzakonshëm me klubin francez.
