Kosovë Lajme Politikë

Përfaqësues të Ambasadës Amerikane marrin pjesë në seancën e thirrur nga PDK-ja, deputetët e VV-së mungojnë

Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë marrë pjesë sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë mbledhur sërish pas kërkesës së radhës për vazhdimin e seancës konstituive.

Ndërkohë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë paraqitur në sallë, ndërsa kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk e ka thirrur vazhdimin e saj. Kanë kaluar tashmë 20 ditë nga skadimi i afatit për konstituimin e Kuvendit, ndërsa PDK konsideron se moskonstituimi i institucionit më të lartë përfaqësues të vendit përbën vazhdim të shkeljes së rendit kushtetues.

PDK ka kërkuar në vazhdimësi që Dehari ta thërrasë seancën dhe që deputetët të kthehen në Kuvend për ta përfunduar procesin e konstituimit.

Për mosvazhdimin e seancës, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Avni Deharit, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prania e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane në sallën e Kuvendit vjen në një moment kur kriza institucionale po thellohet dhe kur, edhe 20 ditë pas kalimit të afatit kushtetues, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar.