Kosovë Lajme

Gjermania dhe pesë shtete të tjera evropiane kërkojnë shkurtime të mëdha në buxhetin e BE-së

Gjermania dhe pesë shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar shkurtime të mëdha në buxhetin e ardhshëm të BE-së, duke kundërshtuar rritjen e propozuar nga Komisioni Evropian.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, pas një takimi në Berlin me përfaqësuesit e Danimarkës, Finlandës, Austrisë, Holandës dhe Suedisë, tha se propozimet aktuale për rritje të buxhetit deri në 60 për qind janë “thjesht të papërballueshme”.

Sipas Merzit, shuma e propozuar duhet të reduktohet me disa qindra miliardë euro, ndërsa shkurtime duhet të bëhen në pothuajse të gjitha fushat.

Gjashtë shtetet kontribuese, të cilat financojnë rreth 40 për qind të buxhetit të BE-së, kërkuan “realizëm dhe reforma” në buxhetin që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2028. Ata theksuan se siguria, sovraniteti, migrimi dhe konkurrueshmëria duhet të jenë në qendër të shpenzimeve.

Shtetet kundërshtuan gjithashtu marrjen e borxheve të reja të përbashkëta nga BE-ja dhe kërkuan që institucionet evropiane të menaxhojnë detyrat e tyre me numrin aktual të stafit.

Gjermania, Danimarka, Finlanda, Austria, Holanda dhe Suedia synojnë të paraqesin një qëndrim të përbashkët në konsultimet e BE-së që pritet të nisin në tetor, shkruan DW.