Kosovë Lajme

Limaj i përgjigjet Kurtit: Nuk mund të jesh edhe çlirimtar edhe zullumqar, ku ishe ti kur luftohej për lirinë e Kosovës?

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se nuk mund të jesh njëkohësisht patriot dhe hajdut, apo çlirimtar dhe zullumqar.

Në një intervistë në emisionin “FRONTAL” në T7, Limaj tha se kontributi për lirinë e Kosovës nuk duhet harruar dhe se të gjitha arritjet që vendi gëzon sot e kanë pikënisjen te liria e fituar me luftë.

Ai tha se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përpjekur të jenë modestë dhe të mos flasin vazhdimisht për rolin e tyre në luftë, por shtoi se nuk mund të pranojnë që kontributi i tyre të vihet në dyshim.

“Jemi munduar të jemi modestë e të mos flasim shumë për këtë pjesë. Nuk ka pasur raste si në Kosovë. Në luftë kanë shkuar familjarët tanë, vëllezërit tanë, njerëzit tanë më të afërt”, deklaroi Limaj.

Ai theksoi se liria është themeli mbi të cilin janë ndërtuar të gjitha sukseset e pasluftës.

“Krejt të mirat që i ka sot Kosova e kanë pikënisje lirinë. Pa lirinë e Kosovës nuk do të kishte as zhvillim, as biznese, as mundësi për qytetarët”, tha ai.

Duke iu referuar deklaratave të Kurtit, Limaj ngriti pyetjen se ku ka qenë ai në kohën kur zhvillohej lufta çlirimtare.

“Ku je kanë ti kur u kanë koha e çlirimtarit dhe zullumqarit? Ne i patëm mbledhë djemtë për t’i larguar zullumqarët. Është e pamundur të mos shtrohet kjo pyetje kur dëgjon akuza të tilla”, u shpreh Limaj.

Ai insistoi se nuk mund të ketë barazim mes kontributit për çlirimin e vendit dhe etiketimeve që, sipas tij, synojnë të zhvlerësojnë luftën çlirimtare.

Deklaratat e Limajt vijnë pas një deklarate të mëhershme të Kurtit gjatë fushatës zgjedhore, kur ai kishte thënë se “nuk ka edhe patriot edhe hajdut; ose patriot ose hajdut. Nuk ka edhe çlirimtar edhe zullumqar; ose çlirimtar ose zullumqar”, duke theksuar se patriotizmi është një angazhim që nuk njeh pushim.