Kosovë Lajme Politikë

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Të gjithë emrat e diskutuar sot për president janë në vijë me parimet e dakorduara

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit të sotëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke konfirmuar se diskutimet kanë vazhduar për emra konkretë për postin e Presidentit të Kosovës.

Abdixhiku tha se të gjithë emrat e prezantuar deri më tani, dikush më shumë e dikush më pak, janë në përputhje me parimet për të cilat palët janë dakorduar.

“Sot kemi vazhduar rreth diskutimeve me emra konkretë. Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them se të gjithë emrat, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani. Ky është një hap përpara. Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të flas në këtë fazë për emrat e përveçëm, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe përzgjedhur Presidentin e ardhshëm të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai nuk bëri të ditur emrat e diskutuar, duke theksuar se për shkak të ndjeshmërisë së procesit, palët do t’i mbajnë ato konfidenciale në këtë fazë.