Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se sot rreth orës 10:30, Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar për një aksident të ndodhur në një vendpunishte në lagjen ‘’Veternik’’ në Prishtinë, ku një punëtor ka humbur jetën.
Sipas të dhënave fillestare, Prokuroria njofton se aksidenti ka ndodhur gjatë kryerjes së punimeve në një objekt banesor në ndërtim, me ç’rast viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia, dhe si pasojë e lëndimeve të rënda trupore ka humbur jetën.
Në kuadër të veprimeve të ndërmarra deri më tani, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar me inicialet Xh.Sh., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarët okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave relevante për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
“Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit, në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet e tjera kompetente, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.
