Kosovë Kronikë Policore Lajme

Detaje nga tragjedia në KEK: Korporata i la pa doreza punëtorët, ani pse punonin me rrymë 6 kilovat

Hetimet paraprake për rastin tragjik të vdekjes së punonjësit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti, 32-vjeç, kanë zbuluar se korporata nuk i kishte pajisur me pajisje mbrojtëse punëtorët e departamentit të Mirëmbajtjes së Mihjeve.

Sipas dëshmive të dy dëshmitarëve, punonjës në KEK, ata nuk ishin të pajisur me doreza kundër rrymës, ani pse punonin me energji elektrike të tensionit 6 KV (kilovat).

Ata, sipas dëshmive, kishin vetëm vegla dhe instrumente për matjen e rrymës, zbulojnë hetimet e zhvilluara nga një prokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Arbenit Ahmeti, ishte prijës i një ekipi të punëtorëve në Departamentin e Mirëmbajtjes së Mihjeve në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai vdiq të enjten pas kontaktit të drejtpërdrejtë me tensionin 6 KV në një kuti shpërndarëse, duke pësuar lëndime të rënda.

Për rastin është arrestuar Arsim Krasniqi, mbikëqyrësi i tij dhe koordinatori i sistemit të thëngjillit në KEK. Të shtunën, Gjykata në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij. Krasniqi dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe mjeteve të sigurisë në vendin e punës”.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Krasniqi dyshohet se ishte përgjegjës për mangësit në masat e sigurisë në vendin e punës.

Një dëshmitar deklaroi se gjatë kryerjes së punimeve, punëtorët nuk kanë pasur pajisje mbrojtëse, përfshirë doreza kundër rrymës, pasi sipas tij nuk ishin të pajisur me to. Ata, sipas dëshmisë, kishin vetëm vegla dhe instrumente për matjen e rrymës.

Një tjetër dëshmitar dëshmoi në Prokurori se punëtorët nuk kishin pajisje të dedikuara për punë me energji elektrike prej 6 KV.

“Nga Procesverbali i marrjes në pyetje të dëshmitarit Enver Krasniqi i datës 20.08.2026; i njëjti deklaron se ishte dita e parë e punës në Rotorin 7 dhe se atje nuk ka qenë në dijeni për pajisjet mbrojtëse; se komunikimi gjatë kyçjes dhe çkyçjes së energjisë elektrike është kryer vetëm përmes telefonit, pasi radiolidhje nuk kanë poseduar; se pajisje të dedikuara për punë me energji elektrike prej 6 KV nuk kanë pasur; se mbikëqyrës i tij është Arsim Krasniqi, prej të cilit i marrin të gjitha urdhrat dhe tek i cili adresohen të gjitha kërkesat; si dhe se prej kohës sa punon në KEK ndaj tij nuk është kryer asnjë inspektim”, thuhet në dosjen e Gjykatës, të cilën e ka siguruar Paparaci.

Sipas një dëshmitari tjetër, punëtori prijës për energjinë elektrike duhej të ishte i pajisur me rroba pune, helmetë dhe detektor tensioni, ndërsa numri i detektorëve ishte i kufizuar.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, në KEK nuk është gjetur libri i evidencës për kyçjen dhe çkyçjen e energjisë elektrike dhe nuk është evidentuar ngarkimi individual i pajisjeve mbrojtëse personale dhe detektorëve të tensionit.

Në dosje thuhet se i dyshuari Arsim Krasniqi ishte koordinator i sistemit II – Qymyr dhe kishte për detyrë organizimin e punës, mirëmbajtjen operative elektrike dhe udhëheqjen e punës ekipore të personelit të elektrikës.

Krasniqi, në Prokurori ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Ai ka konfirmuar se është koordinator i sistemit të thëngjillit dhe ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi incidenti.

Rasti është ende në fazën e hetimeve dhe përgjegjësia penale e të dyshuarit nuk është përcaktuar me vendim përfundimtar të gjykatës.