Zbardhet dëshmia e një prej miqve të turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez, i cili u vra me thikë në Ksamil nga Sokrat Lipan alias Vata. Ja si e shpjegon ai dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Adib Ghanmi, shtetas francez:
“Kam qenë me shokët e mi, shtatë persona dhe po festonim në klub ‘Principote’ dhe pasi mbaroi festa ne po rrinin në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra, i cili ishte shqiptar, por fliste frëngjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: Pse më shan, se nëna është e shenjtë. Ky person e goditi me kokë, ne u futëm të gjithë në konflikt.
Më pas erdhi një person që ishte i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë në këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tim, i cili u vra me thikë në zemër dhe në këtë moment, filluan njerëzit të bërtisnin, dhe në drejtim kanë ardhur rreth 10-15 veta security, të cilët nuk jam i sigurt nëse u futën në konflikt pasi personin që qëlloi me kokën, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë.”
I pyetur nëse e njeh personin, i cili ka goditur me thikë ai thotë: “Po ta shoh, e njoh”.
Prokuroria i ka vënë në dispozicion një foto të shtetasit Sokrat Vata dhe ai konfirmoi se ishte ai personi që kishte goditur me thikë shokun e tij dhe i kishte drejtuar thikën edhe të tjerëve.
