Një fëmijë 10-vjeçar është lënduar si pasojë e shkrepjes aksidentale të një arme zjarri në Podujevë.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur rreth orës 12:00, kur një i mitur ka marrë një armë të tipit AK-47 dhe, gjatë manipulimit me të, ka shkrepur një fishek. Predha ka goditur vëllanë e tij 10-vjeçar.
I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë, ndërsa sipas policisë, është jashtë rrezikut për jetë.
Gjatë kontrollit në shtëpi, policia ka gjetur dhe konfiskuar si prova materiale një armë AK-47, së bashku me një karikator me 20 fisheke.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se nipi i tij i mitur ka marrë armën AK-47 dhe gjatë manipulimit ka shkrepur një fishekë dhe predha ka goditur vëllanë e tij fëmijë 10 vjeçar. I lënduari është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë dhe është jashtë rrezikut për jetë. Gjatë kontrollit të shtëpisë në cilësi të provave materiale është gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 me një karikator me 20 copë fishekë. Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i departamentit për të mitur i cili ka urdhëruar që rasti të inicohet si më lartë, ndërsa i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt”.
