Kosovë Lajme

Sindikata e Re e KEK reagon: Siguria duhet të jetë prioritet çdo ditë

Një punëtor i KEK-ut humbi jetën tragjikisht në vendin e punës para pak ditësh.

32 vjeçari, Arbenit Ahmeti u varros dje në Vazrrezat e Qytetit në Shipol të Mitrovicës duke lënë prapa bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Sindikata e Re e KEK-ut, ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke thënë se ‘të humbasësh një koleg në frontin e punës është njësoj si të humbasësh një bashkëluftëtar në betejë’.

Ata thonë se ‘siguria në KEK duhet të jetë prioriteti numër një, jo vetëm pas një tragjedie, por çdo ditë që një punëtor hyn dhe del nga vendi i punës’.

Postimi i plotë:

TURPI SPASKA FUND

MENAXHIM PA NDJENJA

Të humbasësh një koleg në frontin e punës është njësoj si të humbasësh një bashkëluftëtar në betejë. Dhimbja është e madhe, sepse nuk humbëm vetëm një punëtor, por një njeri, një koleg dhe një pjesëtar të familjes së madhe të KEK-ut.

Por përtej dhimbjes, shtrohet një pyetje që nuk mund të heshtet më:

Si është e mundur që për 7 muaj të kemi 4 punëtorë të vdekur në vendin e punës dhe të mos ketë asnjë dorëheqje morale?

Disa drejtorë e menaxherë duket se janë bërë “lëpirës të një page”, duke punuar me frikën se mos e humbin postin. Por posti nuk është gjithçka! Paga dhe karrigia nuk mund të jenë më të rëndësishme se jeta e një punëtori.

Pashë Zotin, a nuk ju vjen turp?

A mendoni se punëtorët janë patate apo fije bari, që ju t’i plotësoni egot tuaja me paga të majme dhe vetura deri në 50 mijë euro, të cilat i përdorni edhe pas orarit të punës për në shtëpitë tuaja?

Vetëm paratë e shpenzuara për këshilltarë të jashtëm dhe për derivate nga përdorimi i automjeteve zyrtare pas orarit të punës do të mund të mjaftonin për blerjen e pajisjeve mbrojtëse dhe për rritjen e sigurisë në vendin e punës.

JO MË!

Nuk do t’i përmbushni më egot tuaja në kurriz të djersës, mundit dhe jetës së punëtorëve.

Punëtorët kanë familje. Në fund të ditës ata duan të kthehen të gjallë te fëmijët, bashkëshortet, prindërit dhe familjet e tyre.

Turpi dhe marrja, spaskan fund!

Prandaj, BRAVO atyre menaxherëve që kanë dhënë dorëheqje, kur kanë parë se nuk kanë pasur kushtet për të garantuar punën dhe sigurinë e punëtorëve.

Sot, të paktën, ata janë me faqe të bardhë.

Jeta e punëtorit duhet të jetë mbi çdo post, mbi çdo pagë dhe mbi çdo interes personal.

MJAFT MË ME HESHTJE!

Siguria në KEK duhet të jetë prioriteti numër një, jo vetëm pas një tragjedie, por çdo ditë që një punëtor hyn dhe del nga vendi i punës.

Sindikata e Re e KEK-ut

Xhelal Jashari

Kryetar