Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është deklaruar para mediave nga hapësira para ndërtesës së Qeverisë, ku disa deputetë të kësaj partie po qëndrojnë në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit politike.
Çitaku akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po i “uzurpon” zyrat e Qeverisë dhe tha se ai duhet të jetë në Kuvend, bashkë me deputetët, për ta konstituuar këtë institucion dhe për të formuar Qeverinë.
“Ne jemi këtu me një qëllim të vetëm, të kërkojmë rivendosjen e ligjit kushtetues dhe demokratik në vend. Kjo ndërtesë këtu është Qeveria e Kosovës, dhe në të cilën unë, përfshirë Enverin dhe shumë prej jush, kemi pasur nderin të shërbejmë. S’ka privilegj më të madh sesa të kesh mundësinë t’i shërbesh vendit tënd, por s’ka edhe krim më të madh sesa kur besimi i qytetarëve keqpërdoret dhe zyrat e popullit uzurpohen. Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet dhe, nëse ai s’ka të drejtë të jetë aty, s’kemi të drejtë as ne. Dhe e dyta, ai duhet të jetë në Kuvend, aty bashkë me ne, për ta themeluar institucionin, për ta konstituuar Kuvendin. Nuk jemi ne këtu me ba puç. Ne jemi këtu me i thanë z. Albin Kurtit: eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërtoje Qeverinë dhe ecim tutje”, deklaroi Çitaku.
