Kosovë Lajme

Me pesë truproje pas vete, Kurti arrin në Kuvend për takim me Abdixhikun: Do flasim pas takimit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Kurti tha se për detaje do të flas pas takimit.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të hënën, Kurti ka deklaruar se vendi po i afrohet një afati kushtetues, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsion dhe se zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit.

Ai ka theksuar se kjo situatë kërkon vullnet për zgjidhje dhe kompromis politik, duke shtuar se asnjë parti nuk mund të pretendojë sigurimin e 80 apo më shumë deputetëve dhe se diskutimet duhet të zhvillohen mbi bazën e rezultatit zgjedhor dhe në interes të vendit.

Kurti ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe parashikueshmëri, duke rikujtuar se qytetarët kanë votuar më 28 dhjetor për një mandat katërvjeçar dhe se Qeveria së shpejti do të sjellë për miratim programin qeverisës 2026-2030.