Kosovë Lajme Politikë

Situata në Kuvend, Deliu: Po e mbyllim për sot, do të jemi këtu edhe nesër, çdo ditë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka deklaruar se kjo parti nuk do t’i ndalë veprimet politike dhe institucionale për, siç tha ajo, ruajtjen e rendit kushtetues në vend.

Deliu, pas përfundimit të seancës në Kuvend, tha se prioriteti kryesor aktualisht duhet të jetë kthimi i vendit në rendin kushtetues.

“Thirrja jonë është që të kthehet rendi kushtetues. Asgjë nuk ka më të rëndësishme sot se kthimi në rendin kushtetues. Ne po e mbyllim këtu sot, por do të vazhdojmë të jemi në Kuvend. Nuk do t’i ndalim veprimet tona politike, institucionale, demokratike, por edhe veprime të tjera, për ta ruajtur rendin kushtetues”, deklaroi Deliu.

Ajo kritikoi zhvillimet gjatë seancës, duke i cilësuar disa prej veprimeve si “inskenime” dhe përpjekje për ta paraqitur situatën si normale.

“Sjelljet që sot i keni parë, inskenimet, përpjekjet për ta shndërruar këtë seancë në normalitet, janë thirrje kaotike. Sot Kuvendi ka nevojë për konstituim”, tha ajo.

Deliu paralajmëroi se deputetët e PDK-së do të vazhdojnë të jenë në Kuvend edhe në ditët në vijim dhe se do të ndërmarrin veprime politike, ligjore e kushtetuese.

“Nuk guxon askush ta mbyllë Parlamentin, nuk guxojnë që dyert të mbyllen. Ne do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë. Aksionet tona ligjore, kushtetuese, politike nuk do të mungojnë për ta kthyer Kosovën në binarët e saj dhe stabilitetin në vend”, u shpreh Deliu.