Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur të hënën një mbledhje, ku ka diskutuar për situatën politike dhe institucionale në vend, pas mos-konstituimit të Kuvendit dhe vazhdimit të bllokadës institucionale.
Në komunikatën e publikuar pas mbledhjes, PDK-ja ka vlerësuar se Kosova ndodhet përballë një “krize të thellë kushtetuese dhe institucionale”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shpërfillje të Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afateve institucionale, shkruan Insajderi.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se situata nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike.
“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka thënë Hamza.
Sipas PDK-së, fillimisht është refuzuar përmbushja e detyrimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa edhe pas përfundimit të këtij afati, po vazhdon mosrespektimi i procedurave institucionale.
“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka deklaruar Hamza.
PDK-ja ka akuzuar pushtetin aktual se po e zëvendëson funksionimin normal të institucioneve me “arbitraritet institucional”, duke pretenduar se rregullat po zbatohen vetëm kur u përshtaten interesave politike.
“Kushtetuta nuk është opsionale. Institucionet nuk mund të funksionojnë sipas vullnetit të një partie. Kushtetuta përcakton rregullat e ushtrimit të pushtetit, garanton ndarjen dhe balancimin e tij dhe mbron rendin demokratik”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Hamza ka theksuar se, sipas tij, çështja nuk lidhet me interesat e PDK-së apo me një konflikt mes partive, por me mbrojtjen e institucioneve dhe rendit kushtetues.
“Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”, ka thënë ai.
Në fund, PDK-ja ka bërë të ditur se do t’i mobilizojë strukturat e saj në të gjitha komunat, degët dhe nëndegët, ndërsa ka paralajmëruar një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike kundër, siç e ka cilësuar, “degradimit të mëtejshëm të institucioneve”.
Partia ka njoftuar gjithashtu se do të zhvillojë konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile që, sipas saj, besojnë se shteti dhe Kushtetuta duhet të jenë mbi çdo interes partiak apo individual.
