Gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri në Shqipëri, nga të cilat 7 mbeten aktive, njoftuan autoritetet.
“Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë operacionet në terren me 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter dhe 1 avion “Air Tractor” të Forcës Ajrore”, tha Agjencia për Media dhe Informim.
Sipas njoftimit, ndërhyrjet janë përqendruar në Dajt, Mallakastër, Elbasan, Libohovë, Dropull, Selenicë dhe Skrapar.
“Situata më problematike paraqitet në Mallakastër, ku po punohet intensivisht për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.Në të gjitha vatrat e tjera operacionet vijojnë, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat”.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në koordinim me të gjitha strukturat përgjegjëse, vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit”.
