Kosovë Lajme Politikë

Abdixhiku pas takimit të GP: Më lejoni pak kohë, nuk ka asgjë tjetër

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se aktualisht nuk ka asgjë të re sa i përket mundësisë së një takimi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndonjë marrëveshje politike.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, i pyetur nga gazetarët nëse pritet të zhvillohet një takim me kreun e VV-së, Abdixhiku u përgjigj se nuk ka asgjë tjetër nga takimi i mbrëmshëm dhe se sot nuk prite të zhvilloj takim me Kurtin.

“Ju lutem, dje dhashë konferencë. Më lejoni pak kohë. Nuk ka asgjë tjetër”, tha ai.

Ndërsa, kyetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit të mbajtur me Kurtin kishte deklaruar se partia që drejton nuk do të japë mbështetje politike pa u arritur fillimisht një marrëveshje me substancë, duke theksuar se vetëm një marrëveshje e mirë do t’i siguronte të gjitha votat e LDK-së.

Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se bisedimet janë ende në proces dhe se për këtë arsye nuk mund të japë më shumë detaje.

“E kam thënë shpeshherë, për marrëveshje të mirë LDK-ja i ka të gjitha votat, për marrëveshje jo të mirë nuk e ka as votën time si kryetar i saj. Pra, nuk mund të diskutoj për mbështetje politike pa pasur substancë. Fillimisht do të ndërtohet marrëveshja e më pas të prezantohet ajo marrëveshje dhe më pas do të flasim për aritmetikë, për numra, për mundësitë e realizimit e kështu me radhë. Në këtë përpjekje po përpiqemi për balancat sociale. Kërkoj falje që s’mund të jap më shumë detaje sepse jemi në proces diskutues dhe ju lutem që të kemi mirëkuptim për këtë çështje sepse po vazhdojmë tutje diskutimet”, tha Abdixhiku ndër të tjera Abdixhiku.