Kosovë Lajme Politikë

Mbi një orë bisedime, takimi Kurti-Abdixhiku ende po vazhdon

Ka kaluar më shumë se një orë nga nisja e takimit mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ndërsa bisedimet ende po vazhdojnë në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Takimi po zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për zhbllokimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të dy palëve. Nga VV-ja është Hekuran Murati ndërsa nga LDK, Vjosa Osmani e Lutfi Haziri.

Deri më tani nuk ka pasur deklarime për media dhe nuk dihet nëse palët kanë arritur ndonjë marrëveshje

Kurse, kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku para fillimit të takimit nuk pranoi të deklarohej pasi mbërriti në Kuvend për takimin me kryeministrin në detyrë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Pas takimit, deklarohemi”, tha Abdixhiku duke hyrë në Kuvend.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbërritur në Kuvend për takimin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se për konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë së re, partia e tij ka “mjaftueshëm mbështetje”, ndërsa shtoi se për zgjedhjen e Presidentit, “opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”.

“Ne kemi mjaftueshëm mbështetje sa i përket Kuvendit dhe qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e Presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita, sepse kushtetutshmëria është e tillë që Presidentin e sheh si shprehje të unitetit dhe ku opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, tha Kurti.