Botë Lajme

Shpërthim pranë një cisternë në Ngushticën e Hormuzit, rritet alarmi për sigurinë detare

Një incident i ri sigurie është regjistruar në mbrëmjen e 2 gushtit në zonën e Ngushticës së Hormuzit, ku një anije cisternë raportoi një shpërthim në afërsi të saj, pa shkaktuar dëme materiale apo lëndime te ekuipazhi.

Sipas njoftimit të EOS Marine, ngjarja ndodhi në orën 20:37 UTC, rreth 20 milje detare në verilindje të Khasabit, Oman, një prej korridoreve më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për transportin ndërkombëtar detar dhe tregtinë globale të energjisë.

Kapiteni i cisternës raportoi se dëgjoi një shpërthim të fortë shumë pranë anijes. Megjithatë, mjeti lundrues vijoi itinerarin e tij pa probleme dhe të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë shëndetësore. EOS Marine e ka vlerësuar raportin me nivel të lartë besueshmërie.

Incidenti ndodh në një periudhë kur kompanitë e transportit detar dhe ofruesit e sigurisë detare po monitorojnë me kujdes zhvillimet në Lindjen e Mesme, pasi tensionet në rajon kanë rritur ndjeshëm rrezikun për anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

EOS Marine u bën thirrje të gjitha anijeve që operojnë në këtë zonë të ruajnë vigjilencë maksimale, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve detare dhe të zbatojnë me përpikëri Praktikat më të Mira të Menaxhimit (BMP).

Gjithashtu rekomandohet forcimi i mbikëqyrjes vizuale dhe elektronike, gatishmëri e shtuar e ekipeve të sigurisë së armatosur, aty ku janë të pranishme, si dhe raportimi i menjëhershëm i çdo aktiviteti të dyshimtë tek autoritetet kompetente.