Kosovë Kronikë Policore Lajme

Këta janë tre të ndaluarit për rastin tragjik në Prishtinë ku humbi jetën një punëtor

Prokuroria bëri të ditur se si pasojë e aksidentit ka humbur jetën E.Sh., ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lidhur me rastin janë iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Bazuar në dyshimet fillestare dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre persona

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të ndaluarit janë:

  1. Egzon Elshani rreth 37-vjeç
  2. Betim Sylejmani rreth 34-vjeç
  3. Agon Hashani rreth 47-vjeç

Sipas informacioneve, ngjarja ndodhi pasditen e 28 korrikut, rreth orës 15:10, në objektin “Vëllezërit Asllani”, ku gjatë montimit të një vinçi, konstrukcioni u rrëzua.

Si pasojë e aksidentit, dy punëtorët që ndodheshin në vinç ranë nga lartësia. Njëri prej tyre, Ermal Sherifi 20-vjeç, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në QKUK, ndërsa punëtori tjetër, P. D. rreth 37-vjeç, mbeti i lënduar dhe po trajtohet.

Rrëzimi i vinçit shkaktoi dëme edhe në një shtëpi pranë vendit të ngjarjes.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore të Policisë, Krim-Teknika, Prokurori i Shtetit, Inspektorati i Punës, Inspektorati i Mjedisit dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave për të hetuar shkaqet e aksidentit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Egzon Elshani, Betim Sylejmani dhe Agon Hashani janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë janë në vazhdim.