Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Shpend Ahmetit, për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.
Kjo pasi Gjykata e shkallës së dytë – Apeli, ja ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Ahmetit që aktakuza të hudhet, njëkohësisht ka konfirmuar nisjen e procesit gjyqësor ku do të gjykohet aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj ish-kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti.
Sipas aktakuzës i pandehuri Shpend Ahmeti nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54,400.00 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro.
Fillimisht, Gjykata Themelore më datë 02.04.2026 e kishte refuzuar si të pabazuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtja e të pandehurit Shpend Ahmeti, avokatit Arbër Istrefi.
Kundër vendimit të Themelores ankesë kishte ushtruar mbrojtja e Ahmetit për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe shkeljeve të dispozitave materiale.
Mbrojtja i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që ankesën e saj ta aprovoj, të hedhë poshtë vendimin e Themelores dhe ndaj të pandehurit Shpend Ahmeti të pushohet procedura penale.
Tutje, Prokuroria e Apelit me parashtresën e datës 24.04.2026 ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të pandehurit të refuzohet si e pabazuar, dhe aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
KALLXO.com ka kontaktuar avokatin e Ahmetit i cili ka thënë se e ka pranuar vendimin e apelit dhe nuk ka koment në lidhje me të gjeturat e vendimit.
“Nuk kam koment në lidhje me të, vetëm e presim procedurën në vazhdim”- ka thënë Istrefi.
Gjetjet e Apelit
Gjykata e Apelit ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore është i drejtë dhe i bazuar në ligj, dhe se vendimi i shkallës së parë, nuk përmban shkelje procedurale dhe shkelje të ligjit penal që do të kishin ndikuar në vendosjen drejtë të rastit.
Sipas Apelit, Themelorja ka mbështetur vendimin në prova dhe në rrethanat e rastit konkret dhe se vendimi është i qartë dhe i plotë.
Apeli tutje në vendimin e saj ka thënë se Themelorja në vendimin e saj i ka përfshirë të gjitha pretendimet e mbrojtjes dhe ka arritur në përfundim se aktakuza mbështet në prova të mjaftueshme.
Gjykata e shkallës së dytë ka thënë se pajtohet me gjetjet e shkallës së parë pasi nga provat që përmban aktakuza rezulton dyshimi i bazuar mirë se Ahmeti gjatë paraqitjes së deklaratave të rregullta të pasurisë nuk i ka deklaruar në mënyrë të saktë të dhënat lidhur me pasurinë e tij dhe nuk i ka deklaruar të ardhurat reale dhe deponimet në para të gatshme për vitin 2018-2022 në shumën prej mbi 172 mijë euro.
Apeli tutje është pajtuar me gjetjet e Themelores ku thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Ahmeti në asnjërën prej deklarimeve të rregullta të pasurisë ndër vite, nuk i ka deklaruar shumat e parave të deponuara në para të gatshme në llogaritë bankare si dhe paratë e transferuara nga nëna e tij.
Për këtë rast në vendimin e Apelit, përmendet ekspertiza financiare.
Apeli ka bërë të qartë në vendimin e saj se në këtë fazë nuk shqyrtohet çështja në themel dhe nuk merret vendimi për zgjidhjen përfundimtare të saj por trajtohet lënda vetëm për gjetjet që kanë të bëjnë me provat për të mbështetur nëse ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe nëse provat janë në përputhje me ligjin.
Sipas Apelit nuk konstatohet ekzistimi i asnjë prove të papranueshme që do të ndikonte në përjashtimin e tyre.
Sipas Apelit lidhur me pretendimet e mbrojtjes se deponimet e parave të gatshme kanë qenë të ligjshme dhe dihet burimi i tyre prandaj nuk ka ekzistuar detyrimi për deklarimin e tyre, apeli i ka konsideruar si të pa bazuara. Sipas Apelit bazuar në ligjet e vendit përcaktohet se pasuritë dhe mjetet financiare duhet të deklarohen.
Bazuar në këtë, sipas Apelit fakti se mjetet monetare mund të jenë të ligjshme ose që burimi i tyre është i njohur nuk përjashton detyrimin ligjor që të mos bëhet deklarimi i pasurisë.
“Përmbushja e detyrimit për deklarim nuk varet nga burimi i mjeteve”- thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.
Tutje në lidhje me pretendimin e mbrojtjes se i pandehuri nuk ka pasur dashje në raport me veprën penale për të cilën ngarkohet, sipas Apelit duke marrë për bazë rrethanat konkrete të rastit faktin se i pandehuri ka paraqitur deklarimet e rregullta vjetore të pasurisë në mënyrë të vazhdueshme, ka pasur qasje të plotë në formularët e deklarimit të pasurisë dhe në legjislacionin përkatës si dhe duke pasur parasysh nivelin arsimor, pozitën publike që ka ushtruar, rezulton se i njëjti ka qenë në dijeni të plotë për detyrimin e tij ligjor lidhur me deklarimin e pasurisë.
Lidhur me pretendimin se vepra nuk është kryer në vazhdimësi, sipas Apelit nuk qëndron. Shkalla e dytë e gjyqësorit ka thënë se nga provat e çështjes rezulton se paratë e pranuara dhe të deponuara në llogaritë bankare të të pandehurit i përkasin vitit 2018 -2022.
“Kolegji pajtohet plotësisht me konstatimin e gjykatës së shkallës së parë se në këtë fazë të procedurës penale, nuk ekzistojnë rrethana për hedhje të aktakuzës”- thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas Apelit, aktakuza e Prokurorisë Speciale është ngritur në përputhje me ligjin dhe është e mbështetur në prova.
Ky vendim i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Avni Mehmeti (kryetar i kolegjit) Afërdita Bytyqi dhe Albina Shabani-Rama (anëtarë)
Shpend Ahmeti, nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 21.01.2026.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23.12.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i pandehuri Shpend Ahmeti në periudhën kohore nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në Prishtinë, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës edhe pse i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë vjetore në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë duke mos deklaruar te ardhurat reale.
“Si person zyrtar, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare, me rastin e paraqitjes se deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale, respektivisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme (cash) të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes bankomatëve (ATM), në llogaritë e tij personale në vlerë të përgjithshme prej 118,200.00 euro.”- thuhet në aktakuzë.
Sipas PSRK-së i pandehuri Ahmeti në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raspotimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
Ahmeti ishte për dy mandate kryetar i Prishtinës, i njëjti kishte fituar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e parë në vitin 2013-të dhe përfundoi mandatin e dytë në vitin 2021.
