Procedura e fekondimit të asistuar mjekësor (IVF) në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë po shënon rritje të interesimit nga çiftet që përballen me infertilitetin. Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 1 mijë e 300 konsultime, ndërsa janë kryer tetë transfere, prej të cilave tashmë është duke u përcjellë një shtatzëni në javën e 22-t
Për Ekonomia Online, Ndrejaj tha se kërkesa për procedurat e IVF-it është në rritje të vazhdueshme.
“Po, procedura me IVF, domethënë në Klinikën e Obstetrikës Gjinekologjike po shkon shumë mirë. Procedurat po ecin mirë, do të thotë pacienta ka numër mjaft të madh, interesimi është shumë i madh i pacientëve. Deri tash, këtë vit domethënë, vetëm deri më domethënë janarin, tash i kemi diku, ku veç konsulta i kemi 1300 raste që kanë ardhë, ri-konsulta 772, domethënë janë këto raste të cilat e tregojnë një numër që është në rritje, edhe kërkesa është gjithmonë, edhe gjithnjë në rritje për procedurat e IVF-it”, tha Ndrejaj.
Ai sqaroi se deri tani janë realizuar tetë transfere, ndërsa jo të gjitha shtatzënitë konfirmohen në Klinikën e Gjinekologjisë, pasi një pjesë e pacienteve zgjedhin të kontrollohen në institucione të tjera.
