Kosovë Lajme

Zyra e Kurtit jep tender për marrjen me qira të dy xhipave në vlerë prej 60 mijë eurosh

Zyra e Kryeministrit ka lidhur një kontratë të re për marrjen me qira të automjeteve për nevojat e ZKM-së. Vlera e kontratës është afro 60 mijë euro.

Në njoftimin e publikuar sot (09.07.2026), bëhet e ditur se tenderi i është dhënë kompanisë “AutoMita”.

Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe detaje, ku thuhet se kontrata do të zgjasë 26 muaj.

Vlera prej 58 mijë euro do përfshij vetëm dy xhipa.

Ndryshe vitin e kaluar është raportuar se mbi 16 milionë euro kanë shpenzuar institucionet qendrore dhe lokale për blerje të veturave të reja dhe marrje me qira të veturave vetëm tek dy operatorë privat: AutoMita dhe Mercom Company.

Ky shpenzim ka ndodhur gjatë periudhës së fundit 4-vjeçare, sa ka qenë në krye të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Kurti sa ka qenë në opozitë ka qenë kritik i ashpër i pushteteve të kaluar për shpenzimet milionëshe të buxhetit të shtetit në vetura zyrtare.

Madje, disa herë kishte deklaruar se ne Qeverinë e tij gjërat do të ndryshojnë.

“Xhipat e zi do të kenë vetëm prokurorët”, deklaronte shpeshëherë Kurti si opozitar, por premtim ky që nuk u mbajtë asnjëherë gjatë pozitës së tij si kryeministër i Kosovës.

Tenderët që i ka fituar kompania “Automita”, e cila është importues dhe distributor i veturave të markës “Renault”, “Nisan” dhe “Dacia” në Republikën e Kosovës, dhe sipas dokumentacioneve të gjetura del se na viti 2021 dhe në gjysmën e parë të vitit 2025 “AutoMita” ka përfituar kontrata nga institucionet në vlerë prej rreth 9.3 milionë euro.

Përpos kompanisë “Automita”, kontrata të ngjashme në vlerë prej 6.8 milionë euro ka marrë edhe kompania “Mercom”.