Lajme Sport

Ronaldo konfirmon se ky është Botërori i tij i fundit

Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se Kupa e Botës e vitit 2026 do të jetë e fundit për të në karrierën e tij ndërkombëtare.

Në një konferencë për media, Ronaldo deklaroi se synon ta shijojë maksimalisht turneun e ardhshëm, duke qenë i vetëdijshëm se do të jetë paraqitja e tij e fundit në skenën më të madhe të futbollit botëror.

“Dua ta shijoj sa më shumë që të jetë e mundur, sepse do të jetë Kupa ime e fundit e Botës, po”, u shpreh ai, sipas raportimit të gazetës sportive portugeze A Bola.

Megjithatë, sulmuesi portugez shprehu shpresën që aventura e tij në turne të mos përfundojë shpejt.

“Por shpresoj që nesër të mos jetë ndeshja ime e fundit në Kupën e Botës”, tha Ronaldo.

Deklarata e 41-vjeçarit vjen në një moment kur ai vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Portugalisë, ndërsa tifozët presin me interes paraqitjen e tij të fundit në Kupën e Botës.