Kosovë Kronikë Policore Lajme

Një grua dhe një burrë gjenden pa shenja jete në Prizren dhe Dragash

Në rajonin e Prizrenit, gjatë ditës së sotme, janë regjistruar dy raste të personave të cilët janë gjetur pa shenja jete.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se për të dy rastet janë iniciuar hetime dhe, bazuar në rrethanat fillestare, dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje.

“Sot, më datë 05.07.2026, në rajonin e Prizrenit janë raportuar dy raste të personave të gjetur pa shenja jete, për të cilat janë iniciuar hetime”, ka deklaruar Bytyqi.

Rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40, pasi është pranuar informata se në rrugën “Turgut Özal” në Prizren, në banesën e saj, ndodhej një person pa shenja jete. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi i Emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Sipas informacioneve fillestare, viktima është një grua rreth 54-vjeçare. Bazuar në rrethanat e evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se ajo ka kryer vetëvrasje.

Rasti i dytë është raportuar rreth orës 17:50, kur një zyrtar policor ka njoftuar se në një zonë pyjore në fshatin Restelicë, komuna e Dragashit, është gjetur një person pa shenja jete. Patrulla policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.

Sipas informacioneve fillestare, viktima është një burrë rreth 68-vjeçar. Bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se edhe në këtë rast bëhet fjalë për vetëvrasje.

Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizimin e të cilit kanë nisur veprimet hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rastet janë iniciuar dhe po hetohen si “Hetim i vdekjes”.