Kosovë Kronikë Policore Lajme

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Elbasan Xhezair Shoshaj

Është ndarë nga jeta veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtari Elbasan Xhezair Shoshaj, një nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së për rajonin e Prizrenit.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili shprehu ngushëllimet e tij për familjen, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e njohën.

Sipas Totajt, Shoshaj ishte një patriot i përkushtuar që jetën ia kushtoi lirisë dhe atdheut, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në luftën çlirimtare.

“Përveç kontributit të tij në luftë, ai shërbeu me përkushtim për shumë vite edhe si bashkëpunëtor i Komunës së Prizrenit, duke lënë gjurmë me profesionalizmin, korrektësinë dhe respektin që gëzonte te kolegët dhe qytetarët”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Kryetari i Prizrenit u shprehu ngushëllime familjes Shoshaj, bashkëluftëtarëve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan, duke theksuar se kujtimi dhe vepra e Elbasan Shoshajt do të mbeten pjesë e historisë dhe mirënjohjes së përhershme.

“I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, përfundon mesazhi i ngushëllimit.