Kosovë Kronikë Policore Lajme

Nga kërkesat për mbrojtje deri te vrasja – çfarë zbuluan hetimet për rastin e Arlinda Zekajt?

Vrasja e Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime të shumta dhe hetime për mënyrën se si institucionet përgjegjëse e kanë trajtuar rastin e saj para se të ndodhte tragjedia.

Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet, duke shprehur frikën për jetën e saj dhe duke denoncuar dhunën në familje. Megjithatë, pavarësisht kërkesave për ndihmë, ajo u vra, ndërsa për rastin dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Më 22 tetor 2026, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj iu drejtua kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve.

Një ditë më vonë, më 23 tetor, një hetues policor kishte kërkuar nga drejtuesit e Policisë në Pejë që Arlinda të vizitohej çdo ditë nga patrullat policore dhe të mbahej komunikim i rregullt me të, për shkak të situatës së tensionuar familjare.

Më 25 tetor, ditën kur u vra, ajo kishte raportuar sërish në polici për shkeljen e urdhrit mbrojtës nga bashkëshorti i saj. Pas raportimit, bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë.

Megjithatë, pak minuta pas kthimit nga policia, Arlinda u vra në shtëpinë saj në Vitomiricë të Pejës.

Pas ngjarjes, institucionet nisën hetimet për të zbardhur jo vetëm rrethanat e vrasjes, por edhe veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve që ishin marrë me rastin e saj.

Inspektimi evidenton shkelje në Qendrën për Punë Sociale

Më 14 nëntor 2026, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare publikoi gjetjet e raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.

Sipas raportit, në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt janë evidentuar një varg mangësish dhe shkeljesh, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, mungesën e monitorimit dhe moszbatimin e procedurave standarde për menaxhimin e rastit.

Një nga gjetjet kryesore lidhet me mosdorëzimin me kohë të raportit të kërkuar nga Gjykata. Sipas Inspektoratit, me aktvendimin e 24 shtatorit ishte përcaktuar afati prej shtatë ditësh, por raporti ishte dorëzuar vetëm më 5 tetor.

Po ashtu, menaxherja e rastit nuk kishte marrë pjesë në seancën gjyqësore të 5 tetorit, pa u evidentuar një arsyetim për mungesën e saj.

Inspektorati ka konstatuar edhe se QPS-ja nuk kishte realizuar monitorimin e kërkuar pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të 7 shtatorit, ndonëse kishte përgjegjësi të vepronte edhe pa një urdhër të posaçëm nga Gjykata.

Në raport përmenden gjithashtu mosplotësimi i formularëve për kontaktet dhe punën në rast, mungesa e Planit Individual të Shërbimeve dhe mungesa e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale ndaj punës së menaxheres së rastit.

Kërkohen masa disiplinore ndaj dy zyrtarëve

Për shkeljet e evidentuara, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K.

Përveç kësaj, Ministria ka kërkuar rritjen urgjente të numrit të stafit profesional të licencuar në QPS-në e Pejës, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe territorin që mbulon kjo qendër.

Një tjetër rekomandim ka të bëjë me zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., me qëllim të sigurimit të pavarësisë profesionale të Qendrës për Punë Sociale dhe ndarjes së qartë të përgjegjësive ndërmjet këtyre institucioneve.

Ministria ka kërkuar nga Komuna e Pejës që rekomandimet të trajtohen pa vonesë dhe të njoftohet zyrtarisht për veprimet e ndërmarra.

Komuna e Pejës reagon pas raportit

Pas publikimit të gjetjeve, Komuna e Pejës, përmes Qendrës për Punë Sociale, ka dalë me një sqarim lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Në reagimin e saj, QPS-ja ka theksuar se gjatë menaxhimit të rastit kishte ndërmarrë veprime profesionale, duke përfshirë intervenimin fillestar pas kërkesës së Policisë, angazhimin e punonjësit social në kujdestari 24-orëshe, vizitat në terren dhe vlerësimin e rrethanave familjare.

Sipas QPS-së, ishin realizuar edhe bashkëbisedime me prindërit dhe familjarët, si dhe ishte kërkuar dhe siguruar dokumentacion nga institucionet arsimore dhe shëndetësore, përfshirë shkollën “The Cambridge School” dhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë.

Qendra ka theksuar se kishte marrë pjesë në procedurat pranë Gjykatës Themelore në Pejë dhe kishte paraqitur vlerësimet profesionale lidhur me gjendjen dhe nevojat e fëmijës.

Megjithatë, sa u përket gjetjeve të Inspektoratit, QPS-ja i ka cilësuar ato si çështje që kërkojnë përmirësim në aspektin administrativ, organizativ dhe procedural.

Institucioni ka bërë të ditur se do t’i marrë me seriozitet rekomandimet dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për përmirësimin e punës, përfshirë plotësimin e dokumentacionit, respektimin e afateve dhe forcimin e mbikëqyrjes profesionale.

Rasti vazhdon të jetë në fokus të institucioneve

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur edhe masa të tjera institucionale. Pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe në drejtim të përgjegjësisë institucionale.

Po ashtu, është formuar një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse në trajtimin e rastit.

Publikimi i raportit të Inspektoratit në QPS-në e Pejës ka rikthyer në vëmendje pyetjet për reagimin institucional ndaj kërkesave të Arlinda Zekajt për mbrojtje dhe përgjegjësinë e zyrtarëve që kishin për detyrë trajtimin e rastit të saj.

Ndërkohë, rekomandimet e Ministrisë pritet të shërbejnë si bazë për veprime të mëtejshme ndaj mangësive të konstatuara në funksionimin e Qendrës për Punë Sociale në Pejë.