Kosovë Lajme

Fillon intervistimi i kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, ka filluar hartimin e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në përputhje me procedurat e përcaktuara për zhvillimin e këtij procesi, tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit.

Intervistat e kandidatëve do të fillojnë në ora 11:00.

Në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.