Kosovë Lajme

FSK-ja dhe Policia, institucionet më të besueshme në Kosovë

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.

Sipas të dhënave të publikuara, 87.4 për qind e qytetarëve kanë shprehur besim në FSK-në, ndërsa 85.6 për qind në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto dy institucione si më të besueshmet në Republikën e Kosovës, njofton Dukagjini.

Policia e Kosovës e ka vlerësuar këtë rezultat si një dëshmi të profesionalizmit, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit publik, sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Në kumtesë, Policia theksoi se besimi i qytetarëve përbën themelin e punës policore dhe një tregues të rëndësishëm të partneritetit ndërmjet institucionit dhe komunitetit. Sipas saj, ky vlerësim shërben si motiv shtesë për të vazhduar punën në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve.

Rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se qytetarët vazhdojnë t’i konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit.

Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë vlerësuar se forcimi i zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit duhet të mbeten në fokus të institucioneve.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin dhe veprat e tjera penale që cenojnë sigurinë publike. Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, transparencën institucionale dhe bashkëpunimin me qytetarët, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në fund, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve, duke premtuar se do të vazhdojë të punojë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit.