Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj E.H., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Përgatitja e veprës penale Vrasje e Rëndë”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri dyshohet se kishte planifikuar privimin nga jeta të personit me inicialet M.D., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet tyre.
Në aktakuzë thuhet se E.H. kishte ndërmarrë veprime konkrete për realizimin e planit, duke përfshirë marrëveshje për shpërblim financiar, koordinim lidhur me mënyrën, kohën dhe vendin e kryerjes së veprës, si dhe sigurimin e armës që dyshohet se do të përdorej për kryerjen e saj.
Prokurori i rastit ka kërkuar që, pas zhvillimit të procedurës gjyqësore dhe administrimit të provave, gjykata ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ndaj tij të shqiptohen sanksionet e parapara me legjislacionin në fuqi.
