Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një sërë parregullsish në raportin e publikuar për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Auditorët kanë konstatuar se KPMM ka trajtuar gabimisht fondet e inkasuara nga konfiskimi i garancioneve për rehabilitimin e minierave. Të hyrat për 99,370 euro janë regjistruara si depozitë.
Gjithashtu, një saldo e akumuluar prej 315,534 eurosh nga vitet 2017-2024 vazhdon të mbahet si depozitë
Regjistrimi nuk u bë sipas kostos së blerjes
Një tjetër gjetje lidhet me menaxhimin e pasurive.
Auditorët kanë identifikuar dy raste kur vlera e pasurive nuk është regjistruar sipas faturave të furnitorëve. Në njërin rast, një automjet “Dacia Duster” ishte regjistruar me vlerë 23,048 euro, megjithëse fatura burimore ishte 23,888 euro, duke lënë jashtë regjistrimit 839 euro.
Në rastin tjetër, një gjenerator 220 kVA ishte regjistruar me vlerë 12,512 euro, ndërsa fatura e furnitorit ishte 13,371 euro. Diferenca prej 859 eurosh nuk ishte përfshirë në vlerën fillestare të pasurisë.
Sipas auditorëve, kjo kishte ndodhur pasi gjatë regjistrimit të pasurive ishte marrë për bazë shuma e paguar sipas urdhër-pagesës dhe jo dokumenti burimor – fatura e furnitorit. Si pasojë, “pasuria nuk ishte regjistruar me vlerën reale të kostos së blerjes” dhe pasuritë rezultonin të nënvlerësuara në pasqyrat financiare.
Probleme janë gjetur edhe në zhvlerësimin e pasurive. Auditimi zbuloi se për 19 artikuj me vlerë fillestare 6,893 euro zhvlerësimi nuk ishte aplikuar plotësisht. Këto pasuri, sipas rregullave, duhej të kishin arritur vlerën neto zero që nga viti 2022, por në raportet e vitit 2025 vazhdonin të paraqiteshin me vlerë neto 1,195 euro.
Sipas raportit, KPMM kishte sqaruar se zhvlerësimi kryhet automatikisht nga sistemi “E-pasuria” dhe se institucioni nuk ka mundësi ndërhyrjeje manuale. Megjithatë, auditorët konstatuan se Komisioni i Inventarizimit dhe Departamenti i Financave nuk e kishin identifikuar dhe adresuar këtë çështje gjatë mbylljes së vitit fiskal 2025.
Mangësi në menaxhim dhe prokurim
Raporti evidenton edhe mangësi të tjera në menaxhimin institucional. KPMM nuk kishte përditësuar rregulloret e brendshme dhe kontratat e punës në përputhje me ndryshimet ligjore, duke krijuar rrezik për pasiguri juridike dhe mospërputhje në klasifikimin e pozitave dhe koeficientëve të pagave.
Ndërsa, në gjashtë raste, menaxherët e kontratave nuk kishin përdorur modulin e menaxhimit dhe vlerësimit të performancës në sistemin elektronik të prokurimit, siç kërkohet me rregullore.
Sipas auditorëve, kjo ndikon në menaxhimin joefektiv dhe jo transparent të kontratave, pasi menaxhmenti nuk merr informata të plota dhe në kohë reale për performancën e kontraktuesve.
“Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë që menaxherët e kontratave të bëjnë administrimin dhe implementimin e kontratave nëpërmjet modulit për menaxhim të kontratave në sistem të prokurimit elektronik për të siguruar vlerësim adekuat të performancës së kontraktuesve dhe informata mbi progresin e implementimit të kontratës“, thuhet në raport.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë gjithsej gjashtë rekomandime për KPMM-në, prej tyre pesë të reja dhe një të përsëritur. Fushat që kërkojnë vëmendje më të madhe, sipas auditorëve, janë raportimi i të hyrave nga konfiskimi i garancioneve, menaxhimi dhe regjistrimi i pasurive, si dhe përputhshmëria me kërkesat ligjore dhe procedurat e kontrollit të brendshëm.
