Një ngjarje tragjike ka tronditur fshatin Negroc, ku një person dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rryma elektrike.
Viktima është identifikuar si Bedri Krasniqi, ndërsa për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen Krasniqi, si dhe për vëllain e të ndjerit, Gani Krasniqi, i cili është anëtar i Kuvendit Komunal të Drenasit.
Lladrovci ka theksuar se humbja e një familjari të afërt është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për miqtë dhe për të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Bedri Krasniqit. Familjes Krasniqi, në veçanti anëtarit të Kuvendit Komunal, Gani Krasniqi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e vëllait të tij. Lutem që Zoti ta mëshirojë Bedriun, ta shpërblejë me xhenet, ndërsa familjes t’i japë forcë, durim dhe qëndresë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
