Hungaria ka ndaluar vëllain e ish-kryeministrit Viktor Orban, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit me njerëz, ka konfirmuar kryeministri Peter Magyar gjatë një fjalimi në Berlin.
Deklaratat e së hënës erdhën pasi organi hungarez kundër korrupsionit njoftoi përmes një komunikate se, së bashku me policinë, kishte ndaluar katër persona dhe kishte kryer kontrolle në disa banesa në Budapest dhe në qarkun e Pestit, si pjesë e këtij rasti, raporton Reuters.
“Tre nga ish-ministrat e Orbanit tashmë janë në paraburgim”, tha Magyar në margjinat e një fjalimi në kryeqytetin gjerman.
“Ndërsa sot në paraburgim përfundoi edhe vëllai i tij”, shtoi ai, duke iu referuar vëllait të ish-kryeministrit, biznesmenit Aron Orban, 49 vjeç.
Në një reagim në Facebook, Viktor Orban e cilësoi ndalimin e vëllait të tij si një akt hakmarrjeje politike.
“Në këtë lojë të ndyrë, qëllimi është eliminimi i kundërshtarit politik dhe vendosja e një sistemi njëpartiak. Unë jam objektivi, ndërsa vëllai im më i vogël është vetëm një mjet”, shkroi ish-kryeministri.
Në komunikatën e së hënës, Zyra Kombëtare për Mbrojtjen dhe Rikuperimin e Pasurive nuk i identifikoi personat e ndaluar. Edhe policia refuzoi t’i bëjë publikë emrat e tyre, në një përgjigje të dërguar me email për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ky institucion është themeluar për të hetuar pretendimet për korrupsion gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbanit, të cilat ky i fundit i ka mohuar.
Ai u themelua nga Magyar, i cili e mposhti Orbanin në zgjedhjet e prillit, dhe është pjesë qendrore e fushatës së qeverisë së tij kundër korrupsionit, të cilën e ka quajtur “Operacioni Purgatori”.
Në komunikatën e së hënës thuhej se katër personat e ndaluar dyshohen se, gjatë disa muajve të vitit 2024, kishin ndihmuar shtetas vietnamezë të arrinin në Evropën Perëndimore.
Sipas autoriteteve, autorët u kishin kërkuar aplikuesve për viza një të ashtuquajtur tarifë rekrutimi në përfaqësitë diplomatike të Hungarisë në Vietnam, të cilën më pas e kishin ndarë mes tyre.
Gruaja dhe tre burrat e ndaluar dyshohen për “trafikim me njerëz, të kryer në kuadër të një grupi kriminal me qëllim përfitimin financiar”, njoftoi policia.
Në shtator, Zyra Kombëtare për Mbrojtjen dhe Rikuperimin e Pasurive (NVVH) kishte bërë të ditur se “shitja e lidhjeve politike për të siguruar leje qëndrimi për qëllime punësimi” ishte ndër katër rastet e para që planifikonte t’i hetonte.
Dy ish-ministra të qeverisë së Orbanit dhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy, aktualisht ndodhen në paraburgim për shkak të akuzave për korrupsion, në kuadër të hetimeve të ndara.
