Kosovë Lajme

Armë, municion e pajisje ushtarake gjenden në Zubin Potok, Policia nis hetimet

Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të gjetjes dhe sekuestrimit të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme në komunën e Zubin Potokut.

Sipas Policisë në një objekt që shërbente si shtallë për ushqimin e bagëtive janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pesë karikatorë të armës së gjatë me 151 fishekë, pjesë të uniformës së kamufluar si dhe bateri ndriçuese.

Po ashtu gjatë këtij aksioni në një objekt të ngjashëm, policia ka sekuestruar një armë zjarri, 74 fishekë të kësaj arme dhe 254 fishekë të armës së gjatë.

Ndërkaq, në një objekt të pabanuar janë gjetur një pushkë me bajonetën e saj, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë, dy makina për mbushjen e fishekëve të armës së gjuetisë, rreth 200 gramë barut dhe 2 kilogramë sfera për mbushjen e fishekëve.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se armët dhe pajisjet e gjetura janë sekuestruar, ndërsa ekipet relevante hetimore janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe origjinën e tyre.