Në tetor, Bashkimi Evropian do të mbajë diskutim strategjik për zgjerimin dhe reformat që duhet t’i bëjë blloku, i cili për momentin ka 27 vende anëtare.
Ky vendim është ndër konkluzionet kryesore që u publikuan këtë të premte pas dy ditëve të samitit të liderëve të vendeve anëtare dhe krerëve të institucioneve të Bashkimit Evropian. Për Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut u nxor një konkluzion i veçantë. Samiti në Tivat, më 5 qershor, përmendet si shtysë e re në këtë proces.
“Duke rikujtuar konkluzionet e mëparshme, Këshilli Evropian përsërit se Bashkimi Evropian do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Ballkanin Perëndimor dhe do të mbështesë projektet reformuese të rajonit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Këshilli Evropian mbetet i përkushtuar për avancimin e integrimit gradual ndërmjet Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë vetë procesit të zgjerimit, në një mënyrë të bazuar në merita dhe të kthyeshme”, thuhet në konkluzionin e BE-se.
Aktualisht në tavolinën e bisedimeve janë tre propozime rreth zgjerimit të unionit. Gjermania propozon që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e vëzhguesit, ndërsa Ukraina statusin e anëtarit të asociuar pa të drejtë vote.
Një ditë para samitit në Tivat u prezantua edhe dokumenti-propozimi franko-gjerman i kancelarit Friedrich Merz dhe presidentit Emmanuel Macron, i cili synon të gjejë zgjidhje për dinamikën e re të procesit të zgjerimit përmes metodës së integrimit gradual.
“Për temën e zgjerimit kemi një dinamikë pozitive; janë hapur kapitujt e bisedimeve me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa klasterët e tjerë do të adresohen. Me dëshirën time, në muajin tetor gjatë takimit të Këshillit do të flasim në veçanti për Ballkanin Perëndimor. Për mua është me rëndësi se si mund t’i përshpejtojmë proceset e pranimit”, thaMerz.
Në qarkullim është edhe një dokument tjetër i hartuar nga Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu.
Ai propozon që anëtarët e ardhshëm të kenë të drejta të kufizuara, me qëllim mbrojtjen e funksionimit të institucioneve evropiane dhe parandalimin e çdo prapakthimi të mundshëm të anëtarëve të rinj në respektimin e vlerave themelore evropiane.
