Botë Lajme

Tërmet në Filipine, të paktën 32 të vdekur dhe mbi 200 të lënduar

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë goditi të hënën në mëngjes brigjet e ishullit Mindanao në jug të Filipineve, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 32 personave dhe plagosjen e më shumë se 200 të tjerëve.

Pas tërmetit, agjencitë sizmologjike të Filipineve dhe Indonezisë lëshuan paralajmërime për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të evakuoheshin drejt vendeve më të larta ose më në brendësi të territorit. Megjithatë, alarmet u hoqën më vonë gjatë ditës.

Autoritetet raportuan dëme nga cunami në të paktën një fshat, pasi valë deri në një metër lartësi goditën brigjet pranë epiqendrës së tërmetit.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., deklaroi se institucionet shtetërore po veprojnë me shpejtësi për koordinimin e operacioneve të emergjencës dhe ndihmës për të prekurit.

Sipas Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive, përveç viktimave dhe të lënduarve, raportohen edhe persona të zhdukur.

Ndër zonat më të goditura është qyteti portual General Santos, i cili ka mbi 700 mijë banorë dhe njihet si qendër e rëndësishme e industrisë së peshkimit dhe tregtisë.

Zyrtarët lokalë thanë se shumë ndërtesa janë dëmtuar, ndërsa disa prej tyre janë shembur plotësisht. Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në shtëpi banimi.

Sipas të dhënave të United States Geological Survey, tërmeti goditi rreth 25 kilometra në perëndim-jugperëndim të qytetit Burias, në një thellësi prej 35 kilometrash.

Filipinet ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik, çka e bën vendin veçanërisht të ekspozuar ndaj tërmeteve, vullkaneve dhe cunameve.