Lajme Maqedoni

27 vite për të thënë “faleminderit”: Pse u desh kaq gjatë Albulena Haxhiu?

“Kondova nuk është Australia”, reagimi i ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare nga Maqedonia, Odise I., për KFVAgency.com

Kryeparlamentarja e Kosovës, Albulena Haxhiu, është kthyer pas 27 vitesh në Kondovë të Shkupit, te familja Sinani, e cila e kishte strehuar gjatë luftës së Kosovës më 1999.

Vizitën, Haxhiu e ka cilësuar si një mundësi për t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen që i kishte hapur dyert në ditët më të vështira.

Por, ndonëse gjesti i familjes Sinani përfaqëson një akt të çmuar humanizmi, koha e gjatë që ka kaluar deri në këtë vizitë ka nxitur edhe reagime kritike.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Maqedonia, Odise I., në një reagim për Kosova Free Voice Agency, ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: pse u deshën 27 vjet për të shprehur personalisht mirënjohjen ndaj një familjeje që kishte ofruar strehim gjatë luftës?

“Por një pyetje e vogël, krejt pa qëllim të keq: Kondova nuk është Australia”, shkruan ai.

Sipas tij, Kondova nuk është as Amerikë, as Kanada dhe as ndonjë vend i largët ku distanca gjeografike mund të shërbejë si shpjegim për një vonesë kaq të gjatë.

“Është këtu, në Shkup. Dhe 27 vite janë shumë gjatë për një vizitë falënderimi ndaj njerëzve që në ditët më të vështira të luftës të hapën derën e shtëpisë, të dhanë bukë, ujë, ngrohtësi dhe siguri”, thekson Odise I.

Ai pranon se kujtesa nuk ka afat dhe se mirënjohja ndaj atyre që ndihmuan në kohë lufte mbetet e çmuar. Megjithatë, sipas tij, mirënjohja merr kuptimin e saj më të madh kur shprehet me kohë, pa pritur që rrethanat politike apo funksionet zyrtare ta bëjnë të mundur.

“Sepse njerëzit që të strehuan kur ishe fëmijë refugjat nuk kishin nevojë për funksionin tënd politik, për protokoll, për eskortë me drita rotacioni e bllokada të rrugëve apo për një vizitë zyrtare. Kishin vetëm një shtëpi. Dhe atë shtëpi ta hapën”, shkruan ai.

Në përfundim, eksperti e cilëson vizitën si simbolike dhe prekëse, por vë në pikëpyetje vonesën prej gati tri dekadash.

“Prandaj, sado simbolike dhe prekëse të jetë kjo vizitë, 27 vite janë një vonesë që vështirë të shpjegohet me distancën gjeografike”, përfundon reagimin e tij Odise I.

KFVAgency.com – Kosova Free Voice Agency
Bota ndryshon. Faktet mbeten.

Lexoni më tepër: 27 vite për të thënë “faleminderit”: Pse u desh kaq gjatë Albulena Haxhiu?

VIDEO