Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se mbi 150 qytetarë vetëm në rajonin e Prishtinës dyshohet se janë mashtruar përmes mesazheve SMS të dërguara në emër të bankave komerciale, ndërsa dëmi i shkaktuar deri tani vlerësohet të jetë rreth 50 mijë euro.
Sipas një komunikate të përbashkët, autoritetet kanë realizuar tre urdhër-kontrolle në lokacione të ndryshme, të cilat kanë rezultuar me ndalimin e dy personave të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa janë identifikuar edhe dy persona të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast, por që ndodhen në arrati.
Gjatë aksionit thuhet se janë sekuestruar një veturë, disa telefona, sim-kartela dhe fletëpagesa bankare.
Sipas hetimeve fillestare, ekziston dyshimi se nga dhjetori i vitit 2025, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëpunim duke dërguar mesazhe SMS që paraqiteshin si njoftime zyrtare nga banka të ndryshme.
“Të dëmtuarit pasi që kishin pranuar mesazhe SMS, kinse nga bankat komerciale NLB – Banka, Teb Banka, Raiffesien Bank, si dhe banka tjera me përmbajtjen ‘Në llogarinë tuaj është zbuluar aktiviteti i dyshimtë. Ju lutemi identifikoni për të vazhduar përdorimin e shërbimit…’, nga i cili SMS pranohej edhe një link i veçantë, varësisht nga banka që të dëmtuarit kishin llogaritë dhe pas klikimit në këto linqe, të dëmtuarve i është hapur një web-faqe në të cilën është kërkuar të fusin të dhënat bankare, e më pas të njëjtëve u janë tërhequr para nga llogaritë e tyre bankare nga ana e të pandehurve”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se numri i të dëmtuarve dhe vlera e dëmit mund të rriten edhe më tej, pasi pritet paraqitja e rasteve të tjera nga rajone të ndryshme të Kosovës.
